"Na lidhën, na keqtrajtuan dhe morën paratë"
Familja e Isuf Matraxhiut në Laknas rrëfen për "Shekullin", dhunën dhe torturën ndaj tyre prej grabitësve
Familja sapo kishte shitur një copë toke dhe paratë sapo i kishin marrë nga blerësi ua rrëmbyen në fillim të janarit
Ata sapo ishin bërë të "pasur". Shitën një copë tokë, por paratë i gëzuan vetëm pak ditë nën një raft të një prej dhomave të banesës së tyre. Informacioni mbi këto para të fituara jo pa djersë, kishte rënë shpejt në veshët e grabitësve dhe shpejt familja ra pre e tyre. Në periferi të fshatit Laknas në Tiranë, familja e Isuf Matraxhiut, mes mundit dhe rropatjeve pa fund, duket se kishte zgjidhur hallin e strehimit duke ndërtuar një shtëpi në fshat.
Djalit të madh të familjes i cili është 20-vjç i ishte dashur të shkonte emigrant në Greqi për të fituar disa para për të ndihmuar familjen për të ndërtuar shtëpinë, që kur ai ishte ende i mitur. Por muajt e fundit, Isuf Matraxhiu ka menduar se ka mbyllur një pjesë të halleve të tij, duke shitur një pjesë toke dhe kishte nisur ndërtimin e një dyqani pranë shtëpisë. Por sasia e parave që mbante në kasafortë Isufi, duket se gërryente përbrënda më tepër grabitësit se sa vetë atë.
Më 10 janar në mbrëmje, gjithçka që familja kishte projektuar iu është dukur për një moment si e humbur. Në mesnatë vonë, pesë persona kanë bujtur pa pritur në banesën e familjes në Laknas. I lidhën të gjithë, i troturuan e i rrahën deri sa gruaja e Isuf Matranxhit, "u thye" dhe u tregoi raftin ku ishin paratë. Jo pak por rreth 13 milionë.
Grabitja
Edhe pse kanë kaluar tri javë që prej asaj nate, pesë pjesëtarët e familjes Matraxhiu ende dridhen kur kujtojnë 20 minutat e tmerrit, ndërsa shprehen se atë natë do ta kujtojnë gjithmonësi më të frikshmen e jetës së tyre. Rreth një orë pas mesnatës, katër pjesëtarët e familjes, dy fëmijët e mitur 15 dhe 11 vjç dhe bashkëshortët Matraxhiu ndodheshin në gjumë kur nga dritarja e dhomës së pritjes kanë hyrë katër persona të armatosur. Fillimisht është zgjuar gruaja e 62-vjçarit Isuf Matraxhiut, Faria, e cila dëgjoi zhurmë dhe u çua për të parë se çfarë po ndodhte.
Ajo është kapur prej flokësh nga një grabitës i cili e urdhëroi të mos ulërinte dhe të futej në një dhomë. Te kjo e fundit u detyruan të mbylleshin edhe tre pjesëtarët e tjerë të familjes. "Djalin dhe mua na lidhën fillimisht duart dhe më pas me njëri-tjetri, ndërsa gruas dhe vajzës vetëm duart. Kërkuan paratë, na kërcënonin me pistoletë. Ishin pesë persona njëri rrinte jashtë, tre lëviznin nëpër dhoma ndërsa njëri qëndronte në korridor. Fillimisht nuk tregova për paratë duke u thënë se nuk kisha. Gruaja pati frikë se mos na vrisnin, e u rrëfeu vendin e lekëve",- tregoi Matraxhiu.
Gjetja e parave
"E dime që keni para. Na tregoni ku janë dhe do ikim, nuk do t'ju vrasim". Me këto fjalë autorët bindën bashkëshorten e Matranxhiut të tregonte vendin e parave. "I bëfshi për mort ato para",- mësohet të ketë thënë me shpirt ndër dhëmbë djali 15 -vjçar i familjes, ndërsa autorët iknin me 13 milionë në trastë. Më parë ata lidhën pesë pjesëtarët e familjes në një dhomë e më pas humbën rrugicave të lagjes në fshat. Një nga grabitësit, u ka treguar "viktimave" të tij gjatë vjedhjes se një natë më pare, ai kishte vëzhguar çdo lëvizje të tyre, duke ditur kështu edhe veprimet e familjes. "Kisha frikë mos na vrisnin ndaj tregova ku ndodheshin paratë. Tani le të kalben në burg",- shprehet me mllef dhe jo pa keqardhje për paratë Faria, ndërsa që prej ditës së grabitjes, i biri 15- vjçar iu kërkon të braktisin këtë shtëpi.
Me duar të lidhura lajmëroi fqinjët
Me duar të lidhura djali 15-vjçar i familjes mundi të hidhej nga dritarja fill pas largimit të grabitësve për të kërkuar ndihmë te fqinja e cila i zgjidhi edhe duart. Më pas ata lajmëruan policinë gjë të cilën e kryen pas disa orësh pasi kishin frikë se autorët do të hakmerreshin për këtë. Policia mbërriti në banesë për të bërë këqyrjen e provave ndërsa qetësoi familjarët se autorët do të kapen. Familja Matraxhiu u lajmërua për arrestimin e autorëve të dyshuar të grabitjes së banesës së tyre nga policia. Ndërsa shprehen se ngjarja që u ndodhi atyre frikësoi pothuajse gjithë fqinjët. Vetëm pak ditë pas ngjarjes, djali i madh i Isuf Matraxhiut që ndodhej në Greqi u kthye për të qëndruar pranë familjes.
Autorët të lajmëruar për paratë e Matraxhiut
Autorët ishin të sigurtë se në banesën e familjes Matranxhiu kishte para. Madje pasi morën 13 milionë lekët e vjetra ata insistonin se kishte edhe të tjera. "Pasi morën paratë ata qeshnin dhe na thoshin tu tregonin vendin se ku ndodheshin paratë e tjera. Por ne nuk kishim më para. Ata i morën të gjitha. Gjatë gjithë kohës thoshnin se kishin informacione se ne kishim para. Madje na thanë se në fshat kishin një njeri të njohur që u kishte treguar për paratë që kishim fituar ne nga shitja e tokës",- tregoi kryefamiljari Matraxhiu i cili shtoi se ata mund edhe të kenë gënjyer për këtë fakt ndoshta jo. Por për këtë familje një gjë është e sigurtë se grabitësit e kishin vëzhguar më parë banesën dhe nuk erdhën rastësisht në shtëpinë e tyre.