E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitësit hetoheshin për trafik armësh

Grupi i goditur pak ditë më parë, hetohej që prej muajit tetor. Hetuesit kanë zbuluar prova mbi përfshirjen në 10 grabitje dhe disa armë

Shtatë personat e arrestuar nga policia të dielën, kanë qenë nën mbikëqyrjen e saj të dyshuar si të përfshirë në një rrjet trafiku


TIRANE- Shtatë personat e arrestuar dy ditë më paë, nga drejtoria e Policisë së kryeqytetit, të dyshuar si autorë të një serie të gjatë grabitjesh në Tiranë dhe Durrës, kanë qenë në hetim për trafik të armëve dhe municioneve mes Shqipërisë dhe Kosovës. Burimet kanë pohuar se personat vç grabitjeve të banesave, supermarketeve dhe dyqaneve, nën kërcënimin e armëve, dyshohet se janë përgjegjës edhe për grabitjen në seri të çifteve të ndryshme në afërsi të godinave të studentëve në zonën e fushës së aviacionit në Tiranë.


Por hetimi kryesor ndaj tyre mësohet se ka qenë ai për trafikimin e armëve dhe municioneve. Një fakt i tillë është pohuar për gazetën "Shekulli", nga burime të Policisë së Shtetit që kanë pohuar se ndaj personave të arrestuar se nga hetimi i kryer dhe nga veprimet operative të kryera janë siguruar të dhëna që provonin një linjë të trafikut ë armëve.

Hetimi ndaj këtij grupi me shtatë persona që policia i ka bërë përgjegjës për më tepër se 10 grabitje, mësohet se ka nisur në muajin tetor të vitit të kaluar. Zyra e hetimit të Krimeve ndaj Pronës dhe Departamenti i hetimit të Krimeve në Policinë e Tiranës, kishte identifikuar persona si autorë të disa grabitjeve të kryera në kryeqytet. Një person që mendohet se është anëtar i grupit, është zbërthyer nga efektivët e policisë ndërsa ka pranuar të bashkëpunojë me ta.

Blutë kanë siguruar numrat e telefonave të secilit dhe nga përgjimet e kryera dhe nga bisedat e dëgjuara policia ka identifikuar se personat lëviznin me një automjet me ngjyrë të kuqe. Por çudia e efektivëve të policisë ka qenë, kur në veshët e policisë kanë mbërritur të dhëna të sakta se ky grup mund të ishte përfshirë në një rrjet të trafikut të armëve.

Gjatë kësaj kohe, agjentët dhe oficerët e Departamentit të Hetimit të Krimeve, si dhe efektivë të njësisë së vëzhgimit kanë kryer me dhjetra vëzhgime, filmime dhe regjistrime, thuajse në çdo skutë ku kanë shkuar të dyshuarit. Përfshirja e tyre në një rrjet të trafikut të armëve dhe municioneve, sipas burimeve, ka dalë pikërisht nga vëzhgimet e kryera nga njësia operacionale.


Pikërisht trafikimi i armëve dhe municioneve luftarake, ka qenë edhe objekti kryesor i hetimit të grupit e madje dyshohej dhe kishte informacione se në banesat e të arrestuarve kishte sasi të konsiderueshme municionesh. Për këtë shkak, dy net përpara përfundimit të operacionit "FENIKS", blutë kanë nisur veprimet e tyre për vendosjen në pranga të shtatë të dyshuarve, duke kryer kontrolle banesash dhe mbajtjen e tyre nën mbikëqyrje. Mbrëmjen e të shtunës, policia ka nisur kontrollet e banesave, ndërsa në duar kishin urdhër- arrestet e firmosura nga organi i akuzës në kryeqytet.

Arrestimet kanë përfunduar mëngjesin e të dielës, kur policia mbylli ciklin e arrestimeve duke vënë në pranga mes të arrestuarve, edhe një efektiv të Policisë Ushtarake. Të arrestuarit ishin kryesisht banorë të zonës së Kukësit, ose të ardhur nga kjo zonë në kryeqytet. Megjithëse pritej bllokimi i armëve dhe municioneve, policia ka gjetur në banesa vetëm një antitank, dy pistoleta si dhe disa municione dhe sende që sipas policisë provonin disa nga grabitjet e kryera.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›