Peqin, 45 të dënuar frekuentojnë shkollën
PROJEKTI/ Që prej datës 29 janar ka filluar mësimi i rregullt në institucionin e riedukimit të sigurisë së lartë
PEQIN - Jeta nuk iu dha mundësinë që të arsimoheshin, kështu që këtë mundësi ua jep burgu.
Në institucionin e riedukimit në Peqin janë 45 të burgosur, të cilët prej gati një jave kanë nisur shkollën fillore të cilën nuk e kanë ndjekur jashtë mureve izoluese. Burime nga burgu i Peqinit bëjnë të ditur se të burgosurit kanë filluar të mësojnë shkrim e këndim në shkollën e hapur brenda godinës. Informacioni bëhet i ditur nga Drejtoria e Burgut, e cila ka qenë edhe një prej nismëtarëve të këtij projekti, tashmë të realizuar. Në këtë shkollë japin mësim tre mësues, ndërsa të burgosurit janë ndarë në tri klasa përkatësisht analfabetë: ata që e kanë braktisur shkollën dhe ata që nuk mundën ta mbarojnë asnjëherë.
Një bashkëpunim mes Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe Drejtorisë së Arsimit pranë MASH-it me mbështetjen e Drejtorisë Arsimore në Peqin bëri efektivë tre mësues. Përpjekja ka qenë e madhe edhe për faktin se pak vetë pranojnë të japin mësim në burg. Shkolla aq shumë e përfolur filloi punën më 29 janar kur edhe u ulën në banka përfituesit, mjaft entusiaztë, aq sa mësohet të kenë kërkuar të hapet edhe një shkollë e mesme.
Ambientet kanë të gjithë infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e procesit mësimor nisur edhe nga një projekt që është ndërmarrë nga Ministria e Arsimit, Drejtoria e Burgjeve dhe një fondacion spanjoll. Ndërkohë që ishin duke u vlerësuar mundësitë në burgjet shqiptare, zbatimi nga ana e Burgut të Peqinit solli edhe çeljen e shkollës aty nisur edhe nga ambientet mjaft të mira që disponon ky burg.
Kjo shkollë funksionon si të gjitha shkollat e tjera, ka regjistrin për mungesat e notat, amzën dhe në fund të shkollës të gjithë të dënuarit do të pajisen me dëftesë. Në përzgjedhjen e të dënuarve që kanë dëshirë të vazhdojnë shkollën, drejtoria e burgut ka mbajtur parasysh edhe marrëdhëniet mes të dënuarve duke shmangur bashkimet e grupeve rivale.
Mësohet se shumë pak të dënuar janë nga siguria e lartë. Interesi për shkollën ka qenë i habitshëm dhe 45 të dënuar janë regjistruar menjëherë, por ka edhe të tjerë që kanë shprehur dëshirën, madje kanë kërkuar hapjen edhe të një shkolle të mesme. Kjo, sipas drejtuesve të burgut, bën pjesë në projektet e ardhshme.
Po kështu janë sjellë pajisjet dhe njëkohësisht me shkollat nëntëvjçare në vend burgu do të ketë edhe sallën e vet të internetit, si dhe kurse profesionale që të burgosurit të marrin edhe një profesion që kur të dalin të kenë mundësi të punojnë e t'u largohen veseve të tjera. Në burg ka edhe nga ata që janë shprehur shumë të kënaqur nga kushtet aq sa me shaka thonë se nuk duan të largohen. Një prej tyre, i dënuar për drogë, thotë se ka hyrë kot në burg, por tani që është brenda nuk do të largohet, edhe pse për një muaj është i lirë.