E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat. ska fonde per ruajtjen e shtepive muzeale

05/12/2011  Kryebashkiaku Nasufi: Qeveria nuk jep fonde për mbrojtjen, zjarrfikësit reaguan me vonesë

Digjet banesa, monument i kategorisë së parë

SOKOL GORRICA

BERAT- Rënia e zjarrit në lagjen "Gorricë" të qytetit të Beratit si pasojë e një shkëndije elektrike shkrumboi një banesë dhe vuri në rrezik përhapjen e flakëve dhe në banesa të tjera të kësaj lagje. Banesa e Luto Myftarit në lagjen muzeale "Gorricë" u shkrumbua krejtësisht nga flakët, ndërkohë që zjarri dyshohet se ra si pasojë e një qarku të shkurtër elektrik në momentin pas një ndërprerje dhe rikthimit të energjisë elektrike.

Monumenti i rëndësishëm

Drejtori i Monumenteve të Kulturës në këtë qytet, Lonik Çuedari, shprehet se si pasojë e rënies së këtij zjarri është djegur krejtësisht një banesë e shpallur monument kulture e kategorisë së parë. "Banesa monumentet kulture që ndodhej në lagjen "Gorricë" është shkrumbuar krejtësisht dhe kemi humbur një nga banesat më me vlerë në këtë lagje. Tashmë do të hartohet një projekt për rindërtimin e kësaj banese”, thotë ai. Djegia e kësaj banese prish imazhin e ansamblit karakteristik në lagjen muzeale dhe ne do të përpiqemi që të lobojmë me të gjithë faktorët ministrin përkatëse, bashkinë dhe drejtorin ton që të rindërtojmë këtë banesë për të rikthyer imazhin tashmë të prishur të lagjes”, thotë Çuedari. Tashmë mbetet hartimi i një projekti me specialistët tanë dhe me pas miratimi i një fondi përkatës për të bërë të mundur rindërtimin e banesës me vlera të mëdha që humbi në një nga lagjet më të rëndësishme të qytetit", pohon ai. Zjarri që ra mbrëmjen e së premtes në lagjen muzeale "Gorricë" në këtë qytet shkrumboi një banesë dhe vuri në rrezik dhe djegien e disa banesave të tjera për shkak se ndodhen shumë pranë njëra-tjetrës, por janë dhe prej druri.

Kryebashkiaku

Por për zjarrin e rënë në lagjen muzeale “Goricë” reagon kryetari i bashkisë Fadil Nasufi, i cili citon se: "Qeveria nuk ka dhënë asnjë investim për të mbrojtur zonat muzeale". Sipas tij, rënia e zjarrit në lagjen muzeale të qytetit të Beratit, atë "Gorricë" që dogji krejtësisht një banesë monument kulture të kategorisë së parë nxori në pah problemin e njohur dhe të ngritur disa herë nga ana e bashkisë në lidhje me mungesën e hidrantëve për mbrojtjen nga zjarri. Berati është një ngjarje e dhimbshme sa herë që ka probleme të tilla në rënien e zjarreve në lagjet muzeale, u shpreh kreu i bashkisë. Zjarri i rënë në lagjen "Goricë" i shkaktuar për shkak të një shkëndije elektrike solli dhe një herë në vëmendje mungesën e hidrantëve në këto lagje, pasi dihet rrezikshmëria e banesave, të cilat janë me material druri dhe shumë pranë njëra-tjetrës, pohoi kreu i bashkisë. Prej vitesh ne kemi ngritur në vëmendje mungesën e investimeve të qeverisë për lagjet muzeale dhe zjarri i rënë tregoi dhe një herë se sa në rrezik janë këto lagje”, tha Nasufi. Por, përveçse ka bërë përgjegjëse qeverinë për mosinvestimet në këto lagje për mbrojtjen nga zjarri Nasufi ka ngarkuar me përgjegjësi dhe punonjësit zjarrfikës për mosreagimin në kohë në lidhje me menaxhimin e situatës së zjarrit dhe eliminimin e flakëve. Ndërkohë që me përgjegjësi është ngarkuar reparti i zjarrfikëses dhe pronari i banesës Luto Myftari. Ky i fundit ka pohuar se punonjësit zjarrfikës duhet të kishin reaguar më shpejtë për të bërë të mundur eliminimin e flakëve të zjarrit. Myftari është shprehur se tashmë kërkon ndihmë nga ana e bashkisë dhe qeverisë për të rindërtuar banesën e tij, e cila u shkrumbua krejtësisht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›