E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlerësimi: Godo politikani moderator dhe i urtë

05/12/2011  Krerët e shtetit homazhe në nderim të Sabri Godos. Të pranishëm dhe ambasadorët

Rama mungon dhe në homazhet për republikanin hartues të Kushtetutës

Qindra qytetarë, të afërm, gazetarë, artistë, politikanë dhe personalitete të larta të shtetit i kanë dhënë dje lamtumirën e fundit politikanit të njohur Sabri Godo, që konsiderohet si një nga figurat dhe personazhet më të rëndësishme të politikës shqiptare në 20 vjetët e fundit. Ai u nda nga jeta të shtunën në moshën 82-vjeçare, pas një sëmundjeje të rëndë në mushkëri. Një ditë pas ndarjes nga jeta për dy orë (nga ora 12:30 deri më 14:30) homazhet u zhvilluan në ambientet e parlamentit. Qeveria shqiptare në nderim të tij shpalli zi kombëtare. Në homazhet në nderim të Sabri Godos morën pjesë jo vetëm krerët më të lartë të shtetit shqiptare, por dhe nga Maqedonia e Kosova. Po ashtu në homazhet e djeshme ishin të pranishëm ambasadorë të shumtë akredituar në Tiranë, si ambasadori Arvizu, Sequi, Volfart. Për të nderuar Sabri Godon ka mbërritur për homazhe edhe princi Leka II, i cili dy ditë më parë zhvilloi ceremoninë e varrimit të të atit, pretendentit për fronin mbretëror Leka Zogu I. Pas homazheve në nder të politikanit dhe shkrimtarit të njohur Sabri Godo trupi i tij është përcjellë për në banesën e fundit në varrezat e Tufinës.

Presidenti Topi në mesazhin e tij të ngushëllimit e ka cilësuar Godon “politikan moderator”, ndërsa kryeministri Sali Berisha e ka vlerësuar si një nga personalitet e mendimit politik dhe të letrave në vend. “Politika humbi një nga më të urtit e saj, bota e mendimit intelektual një prej mendjeve më të ndritura, letrat shqipe korifeun e romanit historik”, - shprehet Berisha në mesazhin ngushëllues. Gjithashtu keqardhje për ndarjen nga jeta të Sabri Godos kanë shprehur dhe drejtues të partive politike shqiptare, brenda dhe jashtë vendit. “Sabri Godo ishte një kundërshtar politik i PS-së, por ai ka qenë dhe do të mbetet për ne një figurë e respektuar e këtyre dy dekadave tranzicion, si njëri ndër autorët e Kushtetutës dhe një aktor me rëndësi i jetës politike, i cili në momentet e vështira të vendit u mundua ngaherë të ndihmojë për të gjetur rrugën e arsyes”, - ka theksuar dje kreu i PS-së Edi Rama.

Rama nuk merr pjesë në homazhe

Kreu i opozitës, Edi Rama, nuk ishte i pranishëm dje në ceremoninë mortore të zhvilluar të ambientet e Kuvendit në nderim të politikanit Sabri Godo. Në homazhe morën pjesë Presidenti i Republikës Bamir Topi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, Kryeministri Sali Berisha, kryetari Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, kryetari i LSI-së Ilir Meta, të cilët kanë vendosur kurora me lule pranë trupit të pajetë të Sabri Godos. Po ashtu nga kampi opozitar kanë marrë pjesë në homazhe edhe ish-presidenti Rexhep Meidani, deputetët e PS-së Gramoz Ruçi, Namik Dokle, Ben Blushi e Fatmir Xhafaj, kreu i PSD-së Skënder Gjinushi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›