E Diel, 1 Nëntor 2026

Bare: Nuk dua të vij në gjyq, të më mbroj avokati

14/01/2010  Bosi i vjetër i Lushnjës refuzon të vij në gjyq
TIRANË - Pesëshja e gjyqtarëve, e caktuar për të drejtuar procesin gjyqësore kundër kapos së Lushnjës, ka mundur të lexojë dje vetëm deklarimin negativ të Aldo Bares. “Sot më datë 13 janar unë Aldo Bare deklaroi se nuk dua të paraqitem në seancë gjyqësore. Kërkoi të përfaqësohem nga avokati im mbrojtës”. Fatmira Hajdari lexoi deklarimin për ta vazhduar më pas me një tjetër njoftim. Vladimir Meçi, avokati i Bares, e justifikoi mungesën e tij me paraqitjen e një raporti mjekësor. I detyruar nga këto kushte prokurori i çështjes i kërkoi gjykatës pezullimin e afateve të paraburgimit dhe shtyrjen e gjyqit për në datë 27 janar. Aldo Bare nuk është paraqitur në seancë gjyqësore për të dytën herë radhazi. Ai do të përfaqësohet nga avokati i tij personal, ndërkohë që Prokuroria ende nuk po bën të mundur leximin e kërkesës për gjykim. Seanca e djeshme ishte caktuar për t’u zhvilluar në orën 10 të paradites. Në sallën e gjyqit nuk ndodhej asnjë prej familjarëve të të pandehurit. Bare një prej personazheve më të përfolur të botës së krimit, ka mbi shpin me dhjetëra akuza. Vrasje me paramendim, drejtim të organizatës kriminale, financim të organizatës, dhunim të varreve. Por ajo që rëndon më shumë mbi personalitetin e këtij të pandehuri është dhunimi i kufomës së Artuar Dajës në vitin 1998 pas vrasjes. Bare për më shumë se dhjetë vjet arriti t’i fshihej drejtësisë. Madje për të nuk ekzistonte as edhe një foto që të tregonte pamjen aktuale. Në vitin 2006, Bare u arrestua në Turqi pas një bashkëpunimi mes Interpolit të vendit tonë dhe atij turk. Aldo Bare akuzohet se për gati dhjetë vjet rresht edhe pse njerëzit që ai i përdorte si ushtarë ishin në gjyq, të vinte gjoba, të vriste në fshehtësi duke paguar, dhe të trafikonte drogë në Itali e Gjermani. Tashmë Bare do të përballet me drejtësinë edhe pse në Turqi deklaroi se nuk kishte dëshirë të ekstradohej.
Tentativat për liri
Pas ekstradimit të tij më datë 25 nëntor 2009, Aldo Bare, menjëherë nisi veprimet për të fituar lirinë. Nëpërmjet avokatit Vladimir Meçi ai i kërkoi gjykatës shuarjen e masës së sigurimit për shkak të humbjes së fuqisë së saj. Por kërkesa e parë u rrëzua. Një tjetër tentativë pasoi. Bare bëri përpjekje në apel për të qenë i lirë. Përsëri apeli nuk e mori parasysh kërkesën e avokatit edhe pse Meçi kishte deklaruar se gjithçka ishte kthyer në lojë politike dhe mediatike. Një tjetër kërkesë e Bares erdhi për largimin e gjyqtares së çështjes Fatmira Hajdari. Edhe kjo u rrëzua për të ardhur tashmë tek vazhdimi i seancave të radhës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›