Vrasësi në autobuz: Isha i dehur, nuk kontrollova dot veten
Gjykata vendos masën e arrestit burg pa afat për të akuzuarin për vrasje Nezir Malliku
TIRANË- Para togave të zeza të Gjykatë së Shkallës së Parë në kryeqytet, i arrestuari Nezir Malliku pranon se e ka kryer vrasjen me thikë të shtetasit Arben Goga, duke justifikuar krimin se ishte i dehur.
"Kam qenë i dehur dhe nuk mbaj mend se çfarë kam bërë dhe kë kam qëlluar. Edhe unë kam fëmijë, por, në ato momente nuk isha në rregull",-tha Malliku para gjyqtarit të gatshëm të masave Arben Konstandini.
Ndërkohë, prokurori i çështjes, Vexhi Muçmata, kërkoi nga gjyqtari që i arrestuari të izolohet në qeli për shkak se paraqet rrezikshmëri të lartë shoqërore për shkak të veprës së kryer me armë të ftohtë.
Ndërsa, mbrojtësja ligjore e caktuar nga togat e zeza, avokatja Nevila Pushi, i kërkoi Gjykatës caktimin e një mase me afat, duke kërkuar gjithashtu që klientit të saj t'i bëhet edhe një akt-ekspertim psikik pasi në momentin e kryerjes së veprës ka qenë në gjendje të rëndë psikike.
Por, kjo kërkesë e avokates Pushi u hodh poshtë nga gjykata, e cila vendosi vleftësimin e ligjshëm të arrestit dhe caktimin e masës së sigurisë "arrest me burg" deri në përfundim të afateve.
Ngjarja për të cilën i arrestuari Malliku mbeti në qeli ka ndodhur tre ditë më parë, në njërin prej stacionëve të autobusit të linjës Tiranë-Ndroq të rrugës së Kavajës. Vrasja ka ardhur pas zënkës mes tyre në autobus, ku mendohet se viktima i ka shkelur pa dashje këmbën djalit të autorit, i cili është bërë shkak për grindjen mes tyre.
Pas debateve me fjalë, autori Malliku dhe viktima Goga kanë zbritur për të sqaruar këtë moment, por, Goga është përballur me të goditurat e thikës në fyt nga i arrestuari Malliku. Pas kësaj vrasjeje autori ka tentuar t'i ikë policisë, por, është arrestuar nga efektivët e Komisariatit nr.2 vetëm një orë pas krimit.