E Shtunë, 31 Tetor 2026

Piratët e bankave, klonimin e nisëm nga pasioni

Dy inxhinierët italianë të elektronikës kanë pranuar para hetuesve shqiptarë falsifikimin e kryer të kartave të debitit dhe vjedhjet

Të arrestuarit, jetë luksoze në kryeqytet e udhëtime të shpeshta nga Italia në Shqipëri dhe anasjelltas

TIRANË- Jetesa në hotelin më luksoz të kryeqytetit ka bërë që dy italianët e arrestuar për klonimin e kartave të kreditit të shpenzonin shuma të konsiderueshme lekësh, që i tërhiqnin herë pas herë në bankomatët e njërës prej bankave italiane në Shqipëri. Luka Kalvi (Luca Calvi) dhe Gabriele Paskualino (Gabriele Pasqualino) të arrestuar mesnatën e së mërkurës, ishin dy inxhinierë elektronike në Itali dhe janë shprehur se klonimi i kartave të kreditit ishte një pasion i tyre, i lindur që gjatë kohës së studimeve.

Sipas tyre, fillimisht ata kishin provuar të kryenin veprime të tilla, por pa sukses deri sa kishin arritur bënin edhe prodhimin e kartava dhe të ngrinin një softëare për vjedhjen e informacionit të kartave të kreditit apo debitit, nga banka të ndryshme. Ata kanë pranuar se klonimi i kartava të cilat iu ishin gjetur atyre ishte kryer nga ata

Dy të rinjtë xhenovezë, fillimisht aktivitetin e tyre për falsifikimin dhe klonimin e kartave kanë nisur në vendin e tyre në Itali duke arritur që të kryenin disa transaksione bankare me anë të informacioneve të vjedhura. Por dy 25- vjeçarët janë arrestuar nga autoritetet policore italiane për aktivitetin e paligjshëm që kryenin, duke i bërë persona me precedentë penale.

Nisur nga ky fakt, pasi dy piratët e bankave janë lënë të lirë në vendin e tyre, kanë menduar që aktivitetin e tyre të paligjshëm ta shtrijnë në njërën prej bankave italianë që operon në tregun bankar shqiptar prej disa vitesh. Kjo me qëllim se në Shqipëri mund të operonin më lehtë për shkak se këtu nuk njiheshin.

Hetimet kanë zbuluar se Luka Kalvi dhe Gabriele Paskualino e kanë nisur aktivitetin e tyre në shtator të vitit që kaloi, duke arritur që të klononin disa karta plastike krediti dhe në këtë mënyrë duke tërhequr në bankomatët e bankës shumën prej 150 milionë lekësh.

Sipas burimeve të policisë së kryeqytetit mësohet se pjesa më e madhe e lekëve që kanë përfituar në mënyrë të pa drejtë dy personat nga Xhenova Italisë është shpenzuar për jetën e tyre midis Shqipërisë dhe Italisë, për shkak se dy të arrestuarit nuk kanë qëndruar në vendin tonë që në kohën kur kanë nisur aktivitetin e klonimit të kartave bankare. Ata jetonin në hotelin më luksoz të Tiranës, i vendosur në pjesën jugore të kryeqytetit.

Nisur nga ky fakt edhe shuma e lekëve të harxhuar ka qenë e konsiderueshme, jo vetëm në hotelin ku jetonin, por edhe në lokale të tjera luksozë të kryeqytetit. Por mësohet se një pjesë të të hollave që kanë arritur të tërheqin nga banka, dy personat e arrestuar i kanë dërguar edhe pranë familjeve të tyre në Xhenova të Italisë.

Calvi dhe Pasqualino u arrestuan rreth orës 01.00 të së mërkurës, në momentet që kryenin një transaksion bankar në një nga filialet e bankës italiane, por regjistrimi i tyre në kamerat e sigurisë së saj, ka bërë që dy piratët e bankës të vihen në pranga nga strukturat e krimit ekonomiko-financiarë të Policisë së Tiranës.

Lajmi për arrestimin e dy xhenovezëve në Tiranë është pasqyruar gjerësisht dhe në mediet italiane, të cilat kanë pasqyruar me hollësi të gjithë aktivitetin e dy të rinjve që kanë kryer në Shqipëri për disa muaj me radhë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›