E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, masë e re arresti për Paro Laçin, dosja vjen në Tiranë

Paro Laçi në Gjykatë

TIRANE – Mbërrin në Tiranë dosja penale e Paro Laçit, aksionerit të skuadrës së futbollit Partizani. Pak ditë më parë, Prokuroria e Durrësit, konkretisht Njësia Task-Force, ka vendosur të transferojë në Tiranë dosjen penale ndaj Paro Laçit dhe tetë personave të tjerë të akuzuar për korrupsion e mashtrim në shuma të mëdha financiare. Burime nga organi i akuzës thanë se dosja penale që është hapur dhe është hetuar nga Prokuroria e Durrësit tashmë është regjistruar në Prokurorinë e Tiranës. Kjo prokurori ka bërë kërkesë në Gjykatën e kryeqytetit për vlerësimin e masës së sigurisë të biznesmenit Paro Laçi dhe tetë të arrestuarve të tjerë që ranë në pranga më 19 mars 2011 gjatë një aksioni të policisë. Biznesmeni Paro Laçi, 42 vjeç, u arrestua së bashku me shtetasit Edmond Temali, Agron Arusha, Bledar Kume, Kozma Kule, Shkëlqim Balliu, Endri Dimo, Altin Xhura e Agron Laçi. Duke qenë se masat e sigurisë ndaj tyre janë vendosur nga Gjykata e Durrësit, e cila nuk ka kompetencë lëndore në territorin e Tiranës, Prokuroria e kryeqytetit, menjëherë pas dorëzimit të dosjes, ka hartuar kërkesat që do ti paraqiten Gjykatës së Tiranës për caktimin e masës së sigurisë. Katër prej të akuzuarve, përfshi Paro Laçin dhe tre të tjerë, janë lënë në masën arrest me burg, ndërsa gjashtë persona të tjerë janë lënë në masa të tjera shtrënguese. Ata akuzohen se janë implikuar në episode të ndryshme abuzimi të Paro Laçit, biznesmen i njohur, aksioner i skuadrës së futbollit Partizani dhe presidenti i skuadrës së kategorisë së dytë, Rubiku. Paro Laçi është akuzuar nga Prokuroria e Durrësit për marrjen e një shume ryshfeti prej 40 mijë eurosh nga një biznesmen, të cilit i kishte premtuar licencë minerare nga Ministria e Ekonomisë. Akuzat që rëndojnë mbi Paro Laçin kanë të bëjnë me shuma financiare që ai ka përfituar kundrejt premtimeve për ndërhyrje të paligjshme në lirimin e një të akuzuari për vrasje në Gjykatën e Apelit Shkodër dhe mundësimin e një licence minerare për një biznes nga Ministria e Ekonomisë. Një tjetër akuzë e ngritur ndaj Paro Laçit është ofrimi i ryshfetit prej 500 mijë lekësh për gjyqtarin e ndeshjes së klubit të Rubikut me një skuadër të kategorisë së dytë, e cila përfundoi me rezultatin e barabartë 1-1.

Transferimi i dosjes

Sipas burimeve nga organi i akuzës, transferimi i dosjes penale në Tiranë është bërë pasi nga hetimet ka dalë se episodet dhe ngjarjet për të cilat akuzohen të pandehurit kanë ndodhur në kryeqytet. Duke qenë se ngjarjet kanë ndodhur në Tiranë, organi i akuzës, kompetent për hetimin e tyre sipas ligjit, është Prokuroria e kryeqytetit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›