E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nafta Virgine, lirohen 6 shoferët

Të arrestuarit për naftën në Gjykatë

Gjykata e Tiranës liroi dje nga paraburgimi 6 persona të arrestuar më 11 mars të këtij viti për llogari të hetimit të kontrabandës me naftën Virgine.Masa e tyre e sigurisë, arrest me burg, u ndryshua në masën e sigurisë detyrim për paraqitje.Bëhet fjalë për gjashtë shoferët që kanë transportuar ngarkesat me naftë brenda territorit të vendit. Sipas prokurorisë, nafta Virgine ishte dokumentuar me dokumente false si e eksportuar, ndërkohë që në të vërtetë shitej në tregun vendas. Kërkesat e gjashtë shoferëve për ndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg, caktuar për ta pas arrestimit nga Shkalla e Parë e më pas nga Apeli, u shqyrtuan dje para gjyqtares Blerina Muça, në Gjykatën e kryeqytetit. Përmes avokatëve mbrojtës, shoferët e akuzuar për mashtrim pretenduan para gjykatës se nuk kishin lidhje me kontrabandën e naftës Virgine.
Klientët nuk kanë pasur dijeni nëse nafta në botet që ata drejtonin ishte e destinuar për tu shitur. Ata thjesht bënin transportin. Nuk i lidh asgjë me kontrabandën. Ata merrnin porosinë dhe kryenin shërbimin, mësohet të kenë argumentuar mbrojtësit e të pandehurve. Ndërkohë, përfaqësuesi i Prokurorisë ka kërkuar në seancë mosndryshimin e masës së sigurisë arrest me burg ndaj të pandehurve. Në përfundim të seancës, gjykata pranoi kërkesën e palës mbrojtëse për caktimin e masës së sigurisë detyrim paraqitjeje për të dyshuarit. Aktualisht, nga 12 të arrestuar nga hetimi i kontrabandës të naftës Virgine, vetëm 4 prej tyre janë në arrest me burg: biznesmenët Hajri Elezaj dhe Iliaz Fisheku, si dhe dy punonjës të Doganës dhe të Tatimeve të Fierit. Ditën e sotme pritet të shqyrtohet në Gjykatën e Lartë kërkesa për lirim e biznesmenit Elezaj. Hetimi për kontrabandën e naftës Virgine u finalizua në ditët e para të marsit me 12 të arrestuar. Sipas prokurorisë, në periudhën 2007-2009, një sasi prej afro 17 mijë tonësh naftë Virgine është hedhur në treg me dokumente të falsifikuara si naftë e përpunuar.

Shoferët e liruar

Vladimir Koteci

Genci Prence

Reshat Aleksi

Fadil Abdurrahmani

Flamur Merkaj

Kadri Hajredini

Elezaj, sot në Gjykatën e Lartë

Gjykata e Lartë shqyrton sot kërkesën për lirim nga qelia të biznesmenit Hajri Elezaj, i akuzuar i prokurorisë në dosjen e naftës Virgine. Biznesmeni Elezaj ndodhet në masën e sigurisë arrest me burg, caktuar ndaj tij nga Gjykata e Tiranës, vendim që u la në fuqi edhe në Apel. Ankimi i tij mbi vendimin e Apelit në Gjykatën e Lartë u regjistrua në mesin e muajit maj. Në të dyja shkallët më të ulëta të Gjyqësorit ai kërkoi masë më të lehtë sigurie, për shkak të problemeve të rënda shëndetësore që ka.

Armand Bajrami

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›