Boboshtica, dëshmitaret: Kreu i OMONIA financoi betonizimin

Kryqi i betonizuar në varrezat e vjetra të Boboshticës
Punimet për të betonizuar një pjesë të varrezave të vjetra të fshatit Boboshticë janë kryer me investime të organizatës OMONIA.Kjo dëshmi është dhënë nga dy anëtare të kësaj dege, në seancën gjyqësore të radhës për procesin gjyqësor të dhunimit të varreve të vjetra të fshatit Boboshticë, për të cilin janë marrë si të pandehur kreu i OMONIA-s së qarkut, Naum Disho, si dhe punëtorët Alqi Koroveshi dhe Luan Zaçe. Ndërsa ky proces gjyqësor është drejt fundit të tij me marrjen e dëshmive, kanë dalë pohime në gjyq që tregojnë se punimet për të betonizuar një rrugë mes përmes varreve janë kryer jo vetëm me interesimin e OMONIA-s, por edhe me financim të kësaj organizate.
Dy dëshmitaret, Elenica Kotelli dhe Maria Male, kanë dhënë detaje lidhur me financimin e kryer në varrezat e vjetra të fshatit Boboshticë. Sipas tyre, pas një mbledhjeje të bërë nga kryesia e

Naum Disho
OMONIA-s, në të cilën është vendosur për pastrimin e varreve dhe rregullimin e tyre në fshatin Boboshticë, u la që këto punime të kryhen sa më shpejt dhe me financim të OMONIA-s, me rastin e festës greke të 28 tetorit vitin e kaluar. Të dyja dëshmitaret e pyetura nga avokatët mbrojtës të të pandehurve dhe prokurori i çështjes kanë shprehur të njëjtin qëndrim, duke thënë se nuk kanë dijeni për marrjen e ndonjë lejeje për punimet nga organizata dhe se në punimet u financuan me iniciativë nga kreu i OMONIA-s së qarkut Korçë, Naum Disho. Dëshmitaret kanë pohuar para gjykatës se u zgjodh Boboshtica, për faktin se aty janë bërë çdo vit ceremoni për ushtarët grekë. Ndërkaq, një seancë më parë dëshmoi edhe kreu i komunës Drenovë, Flamur Sala, sipas të cilit nuk është dhënë leja për të kryer ndërhyrje dhe për më tepër punime që kanë mbuluar me beton një pjesë të varreve të vjetra të fshatit Boboshticë. Pas dhënies së dëshmive nga personat e thirrur prej Prokurorisë apo palës mbrojtëse të tre të pandehurve në këtë proces, gjykata ka vendosur që në seancën e radhës të jepen konkluzionet e organit të akuzës dhe të avokatëve për të dhënë më pas vendimin lidhur me atë që konsiderohet si dhunim i varreve të vjetra të fshatit Boboshticë.
KORCE/ GEZIM ASHIMI