Berat, udhëtonte me biçikletë, aksidentohet rëndë 62 vjeçari
Një 62 vjeçar nga një fshat i rrethit të Beratit është aksidentuar rëndë mesditën e djeshme, ndërsa udhëtonte me biçikletë drejt banesës së tij. Aksidenti ndodhi në rrugën kryesore të fshatit Lapardha 2. Myslim Xhaferi, banor i këtij fshati, mësohet se ishte duke udhëtuar me një biçikletë drejt banesës në kohën që është përplasur nga një mjet tip Benz me targa të huaja.
Mjeti mësohet se udhëtonte për në hyrje të fshatit në kohën që ka përplasur udhëtarin me biçikletë që hynte për në fshat. 62 vjeçari, mësohet se pas përplasjes me mjetin ka përfunduar në tokë i aksidentuar rëndë. Ai mbërriti me urgjencë drejt spitalit të Beratit, i shoqëruar nga banorë të rastit. Burime pranë Repartit të Kirurgjisë bëjnë me dije se Xhaferi mbërriti me plagë dhe fraktura në tru. Ai mori ndihmën e parë mjekësore, ndërsa mjekët deklaruar se vendosën transportimin e tij drejt spitalit Ushtarak në Tiranë. Drejt vendit të ngjarjes kanë mbërritur më pas ekspertët e qarkullimit rrugor që kryen hetimet rreth këtij aksidenti. Nga hetimet e para policia bllokoi mjetin tip benz me targa të huaja që drejton nga 27 vjeçari Bashkim Çifliku, banor i fshatit Lapardha. Policia tha se shoqëroi në organin blu drejtuesin e mjetit, ndërsa po punohet për të zbardhur motivet e aksidentit.