Qarku vendos dëmshpërblim e 6 familjeve të dëmtuara nga zjarri dhe përmbytjet

Gjashtë familje do të marrin shumë shpejt dëmshpërblimin, për dëmet që u kanë shkaktuar fatkeqësi natyrore si zjarri dhe përmbytja. Vendimi është marrë në Këshillin e Qarkut të Durrësit, pas propozimit të ardhur nga komisioni që ka ndjekur situatat e pazakonta në terren. Komisioni i qarkut, në ditët e shirave të rrëmbyer të dimrit të kaluar është urdhëruar të ndjekë situatën nga afër dhe të raportojë për çdo zhvillim nga terreni, informacione që më pas kanë shërbyer edhe për të afruar zhdëmtimin në masën e vlerësuar.
Tejmbushja e kanalit të madh që përshkon lagjen e Plazhit dhe reshjet e shumta kanë fundosur në ujë dhjetëra familje në këtë zonë ashtu si dhe mjaft të tjera në Shkozet, Kënetë e Porto Romano. Por në dallim nga objekte të cilat janë liruar nga uji pas disa orësh, banesat e shtetasve M. Blali., S. Çobo dhe M. Osmani., banues në njësinë administrative numër 5, janë bërë të pabanueshme për disa javë. Komisioni i ngritur enkas për ditë të tilla ka vërejtur dhe regjistruar dëmtime të mureve, pajisjeve elektroshtëpiake dhe orendive të ndryshme. Vetëm për tre familje, qarku dhe komisioni përkatës ka kërkuar dëmshpërblim për shumën 1.5 milionë lekë, shumë që është menduar se është e mjaftueshme për të kompensuar dëmin që u ka sjellë përmbytje familjeve të mësipërme. I njëjti komision i ekspertëve të qarkut ka vërejtur dhe vendosur dëmshpërblim edhe për 3 familje të tjera të dëmtuara nga zjarri. Përgjegjësi për emergjencat civile në qark, Sadik Berisha ka thënë se të gjitha familjet, banesat e të cilëve janë djegur nga zjarri i rënë nga rrjeti elektrik apo ka arsye të tjera janë dëmshpërblyer. Sipas kreut të komisionit, pjesëmarrja e shtetit në përballimin e situatave të tilla është e saktësuar në ligj dhe për këtë arsye janë përpiluar edhe dosjet. Materialet e djegura në banesën e shtetasit X. Aliaj janë vlerësuar 1.08 milion lekë, dëmi në shtëpinë e shtetasit B. Seferi në Kënetë do të zhdëmtohet për shumën 1.36 milion lekë dhe shtëpia e shtetasit A. Tanuçi, në shumën 1.4 milionë lekë. Për të gjitha rastet, qarku ka përpiluar një dosje më vete, në të cilën krahas informacionit dhe procesverbalit në terren nga komisioni i ekspertëve janë arkivuar edhe projekti i banesës, preventivi, skica, vendosja e objektit shtëpi, procesverbali i njësisë administrative, kërkesa e familjarit, certifikatë familjare dhe vërtetimi nga PMNZSH në të cilën theksohet edhe shkaku i fatkeqësisë. Pushteti vendor si qarku, prefektura dhe bashkitë e komunat kanë fonde rezervë enkas për raste të tilla, por drejtues të komisionit janë shprehur se përfitojnë dëmshpërblim ato objekte, të cilat janë të regjistruara. Në nivel qarku janë dhënë dëmshpërblime për objekte e shtëpi të përmbytura apo të djegura në 12 raste dhe në një shumë që shkon në afro 50 milionë lekë