E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, sherr në lokal, plagoset rëndë në kokë një person

Një 43 vjeçar është arrestuar nga policia e Durrësit për shkak të një zënke që ka degjeneruar me grushte, por që pasojat kanë qenë të paparashikueshme për viktimën që ka probleme serioze. Policia e Durrësit ka prangosur Fatmir Bajramin për shkak të një konflikti për motive të dobëta në lagjen 18 në Durrës, pranë një lokali. Burimet e policisë së Durrësit deklarojnë se grindja ka ndodhur në orët e pasdites së të premtes, kur Fatmir Bajrami bashkë me dy shokë të tij Aleksandër Mazniku dhe Mustafa Korra kanë qëlluar me grushte dhe mjete të forta shtetasin Gëzim Dauti. Debate i tyre fillimisht ka nisur brenda ambienteve të lokalit, ndërsa më pas ka vijuar jashtë tij. Tre shtetasit, Fatmir Bajrami, Aleksandër Mazniku e Mustafa Korra duke qenë në gjendje të dehur, kanë nisur të grinden me shtetasin Gëzim Dauti, ku nuk kanë munguar fjalët fyese dhe përleshjet mes njëri-tjetrit. Për pasojë ka mbetur i plagosur në gjendje të rëndë shtetasi Gëzim Dauti, i cili është dërguar për ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Durrësit. Ndërsa njëri prej autorëve të ngjarjes, pikërisht shtetasi Fatmir Bajrami, është ndaluar nga efektivat e policisë, të cilët po patrullonin në zonën ku ka ndodhur ngjarja. Si pasojë e goditjeve të marra, ai ka mbetur i dëmtuar dhe ka shkuar në Spitalin e Durrësit për të marrë ndihmë mjekësore. Pasi është mjekuar ditën e ngjarjes, i dëmtuari ka dalë nga spitali dhe ka shkuar në banesën e tij. Por vetëm pas një ore, Gëzim Dauti ka ndjerë dhimbje akoma më të forta në kokë si pasojë e goditjeve të marra dhe për këtë arsye është shtruar urgjentisht në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Sipas informacioneve pranë këtij spitali mësojmë se i dëmtuari ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore. Nga ekzaminimet e bëra në këtë spital, rezulton se Dauti ka një hematomë në tru. Ndërkohë, sipas policisë konflikti mes katër shtetasve ka lindur për motive banale, i cili fillimisht ka nisur me ofendime mes palëve, ku më pas ka degjeneruar duke u përleshur me njëri-tjetrin. Nga ana e policisë së Durrësit po punohet për kapjen e dy autorëve të tjerë të kësaj ngjarjeje, Mustafa Korra dhe Aleksandër Mazniku, të cilët janë larguar në drejtim të paditur. Tashmë mbi të tre personat rëndon akuza e Plagosjes së rëndë me dashje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›