E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, vajza i braktis shtëpinë për të dashurin, 63 vjeçari vetëvritet me çifte

Nuk ka mundur të pranojë dot faktin se vajza është larguar nga banesa me të dashurin dhe në gjendje depresioni i ka dhënë fund jetës, duke u vetëqëlluar me armë zjarri. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së martës në fshatin Flloq të rrethit të Skraparit. Dilaver Gjoka, banor i këtij fshati, mësohet ti ketë dhënë fund jetës me një armë gjahu. Informacioni për ngjarjen ka mbërritur në komisariatin e policisë së Çorovodës rreth orës 20:30 të mbrëmjes së martë dhe grupi i ekspertëve ka udhëtuar menjëherë drejt vendit të ngjarjes. Nga konstatimet e para është mësuar se 63 vjeçari është gjetur i vrarë në dhomën e gjumit. Kanë qenë familjarët Gjoka, të cilët kanë gjetur të pajetë kryefamiljarin dhe të alarmuar kanë kërkuar ndihmën e policisë. 63 vjeçari mësohet të ketë përdorur një armë gjahu të kalibrit 12 mm, e prodhimit turk me numër 11 2956 të cilën mësohet se e mbante me leje në banesë. Grupi i ekspertëve mësohet se nga hetimet e para ka konstatuar se 63 vjeçari kishte gjetur vdekjen e menjëhershme si pasojë e shkrehjes së armës në trupin e tij, në afërsi të kraharorit. Policia bllokoi në vendin e ngjarjes dhe armën me të cilin burri qëlloi veten, armë të cilën mësohet se e mbante në banesë me leje prej disa vitesh. Trupi i pajetë i 63 vjeçarit mësohet se mbërriti më pas në morgun e spitalit të Çorovodës, ku janë kryer hetimet e rastit. Ekspertët e policisë nisën më pas hetimet për të mësuar shkaqet e vetëvrasjes së kryefamiljarit Gjoka. Nga hetimet e para dhe marrja në pyetje e familjarëve është mësuar se Gjoka i dha fund jetës në një moment depresioni. Vajza e tij, nxënëse në vitin e tretë në gjimnazin e Çorovodës mësohet se ishte larguar nga banesa disa ditë më parë me të dashurin e saj. Ajo kishte pasur një lidhje me një djalë nga Çorovoda për të cilën ishin vënë në dijeni dhe familjarët. Por, 63 vjeçari mësohet se nuk e kishte pranuar këtë lidhje për shkak të moshës ende të re të vajzës. Pas disa debatesh mes tyre, vajza kishte vendosur të largohej nga banesa me të dashurin e saj, gjë të cilën babai i saj nuk e ka miratuar. Ajo është nisur për në shkollë ditën e martë dhe nuk është rikthyer më në banesën e saj, duke njoftuar familjarët se do të jetonte me të dashurin. Në një gjendje depresioni për largimin e vajzës nga shtëpia, babai mësohet se i dha fund jetës mbrëmjen e po kësaj dite.  

Last Updated on Thursday, 21 May 2009 12:58

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›