Policia bashkiake e Sarandës bllokon mediat për informim në procesin e kartave
Punonjësit e policisë bashkiake janë urdhëruar mëngjesin e djeshëm të bllokohet dhe ndalohet hyrja e gazetarëve, për të marrë informacion rreth aplikimit të qytetarëve e shtetasve për tu pajisur me karta identiteti, apo pasaporta biometrike. Në këtë mënyrë, tentohet të bllokohet informacioni për parregullsitë e denoncuara në shtyp.
Personi i veshur me pushtet që ka lëshuar urdhrin është drejtorja e burimeve njerëzore në këtë bashki, Suzana Mehmeti, e cila sqaroi se urdhri është dhënë mbështetur në ligjin shqiptar për informimin e opinionit publik dhe se informacioni i kërkuar do të merret vetëm në drejtorinë e marrëdhënieve me publikun në bashki, duke ndaluar hyrjen për këtë qëllim të gazetarëve në mjediset e aplikimit dhe pajisjen e shtetasve me dokumentet e identifikimit. Bllokimi i hyrjes së gazetarëve për të vjelë informacion në zyrat e stacionet e aplikimit, vetëm disa ditë para zgjedhjeve, pas problemeve të shumta të mosçregjistrimit nga regjistri themeltar i personave të vdekur para 50 vjetësh, dublimi i këtyre listave me regjistrimin dy herë e më shumë të shtetasve, pajisja ose mospajisja e shtetasve me dokumente identifikimi etj., raste të publikuara në shtyp, kanë qenë arsyeja e reagimit të zyrtarëve bashkiakë. Përfaqësuesit politkë të grupimeve të partive opozitare kanë reaguar energjikisht, duke kundërshtuar politikisht një veprim të tillë, duke akuzuar urdhëruesit për fshehje të transparencës së veprimeve, të cilat tentojnë të prishin rregullsinë e procesit zgjedhor me ndërhyrje të paligjshme. Kryetari i PDS lokale, Shkëlqim Nikolla ka thënë se urdhri i dhënë është tendencioz dhe i padobishëm se nuk lejon që procesi të vëzhgohet dhe monitorohet sipas ligjit për informimin e publikut. Ndërsa kryetari i PSD dhe ai i Partisë Socialiste, e kanë konsideruar fillimin e bllokimit të informacionit, si bllokim të procesit.