E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, vdekja nga hemorragjia

 

BERAT/ DILAVER XHELILI

Gruaja që gjeti vdekjen gjatë rrugës për në spitalin e Beratit ndërroi jetë nga një hemorragji cerebrale dhe jo nga migrena. Më ketë rezultat dolën dje specialistët e ardhur nga Instituti i Mjekësisë Ligjore në Tiranë. Ata do të kryejnë në laboratorët përkatës në kryeqytet veprime të tjera për të përcaktuar edhe shkakun e hemorragjisë cerebrale. Menjëherë pas konkluzionit të ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, prokuroria e Beratit ka nisur hetimet. Akuzat për mjekim të gabuar erdhën menjëherë pas vdekjes së 54-vjeçares rome, Mamude Myrteli. Sipas deklaratave dhe akuzave të bëra nga familjarët e viktimës për mjekun specialist neurolog, ai i kishte dhënë gruas pas një vizite rutinë mjekim për migrenën dhe antipiretikë. Pas këtyre akuzave dhe denoncimit të tyre në policinë e Beratit, një ekip i përbërë nga 3 mjekë të Institutit të Mjekësisë Ligjore në Tiranë kreu dje autopsinë. Pas të gjitha ekzaminimeve të kryera rezultoi se shkaku i vdekjes së 54-vjeçares Mamude Myrteli ka qenë hemorragjia cerebrale dhe se gruaja nuk kishte pasur probleme migrene në kokë. Mjekët ligjorë pasi kanë përcaktuar shkakun e vdekjes, e kanë përcjellë dokumentin në polici e kjo e fundit e dërgoi çështjen në Prokurorinë e Rrethit për të hetuar nëse bëhet fjalë për neglizhencë të mjekut gjatë ekzaminimit të kryer prej tij e rrjedhimisht mundësinë e parandalimit të vdekjes së nënës së tre fëmijëve. Burime të policisë bënë të ditur se është pyetur edhe mjeku specialist neurolog. Sipas të njëjtave burime, ai ka pohuar se dhimbja e fortë që kishte viktima në kokë dhe ethet ishin shenja klinike të një migrene, për të cilën ai i kishte dhënë edhe kurën. Sipas policisë, grupi i ekspertëve ka dhënë një version paraprak, pasi kampionet e analizave janë nisur në laboratorin e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku dhe priten rezultatet zyrtare në lidhje me shkakun e sëmundjes. Familjarët e viktimës u shprehën dje se 54-vjeçarja ka pasur një tjetër problem shëndetësor dhe është mjekuar për tjetër sëmundje. Ata akuzojnë mjekun, i cili sipas tyre nuk ka treguar kujdes për të kryer edhe analizat përkatëse. "Nëse mjeku do të tregonte një interes të veçantë, ajo mund edhe të shpëtonte nga vdekja" shprehen familjarët e viktimës. Sipas drejtorit të spitalit të Beratit Shkëlqim Hysa, një i sëmurë nuk mund të vdesë nga migrena, e cila jep dhimbje të forta në kokë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›