E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kurbin, asgjësohen 140 bimë Cannabis sattiva



Uniformat blu zbuluan në zonën e pyllëzuar, në afërsi të fshatit Gërnac të Kurbinit, një sipërfaqe toke ku ishin kultivuar 140 rrënjë bimë të dyshuara si ato të Cannabis sattiva. Sipas të dhënave policore, u kryen të gjitha veprimet e nevojshme procedurale dhe në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 bimë të dyshuara si ato të kanabis, ndërsa 135 bimë të tjera u asgjësuan duke i djegur, shoqëruar me fotografimet përkatëse. Po punohet për identifikimin e autorësisë së kësaj vepre penale dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të autorëve. Materialet do t’i referohen prokurorisë së Kurbinit.

Has

Rriten kontrollet bakteriologjike në ujësjellës

Bashkia e Hasit ka nisur kontrollet për pastërtinë e ujit të pijshëm. Kjo sipas tyre bëhet sepse rrjeti është tejet i amortizuar dhe dyshohet se ndotet dhe uji që kalon në të. "Rrjeti i amortizuar i ujësjellësit të Hasit si dhe ndërprerjet e shpeshta kanë dyfishuar kontrollet përmes analizave bakterologjike nga specialistët e spitalit civil", -tha dje për mediat, kryetari i bashkisë, Bardhyl Peka. Sipas tij, në këtë periudhë po kontrollohet hedhja ritmikisht e sasisë së nevojshme të klorit, gjë që mundëson rritjen e sigurisë për pastërtinë e ujit që përdoret nga konsumatori.

Cërrik

Arrestohet një zjarrvënës, i dogji pemët fqinjit

Një 36-vjeçar nga Cërriku u arrestua dje nga uniformat blu nën akuzën për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”.
Zëdhënësja e Policisë së Qarkut të Elbasanit, Valbona Begu tha për mediat se "nga seksioni kundër krimit ndaj pronës u arrestua Ardjan Osmani 36 vjeç, banues në lagjen Nr. 3 Cerrik, pasi në datën tetë gusht kishte djegur disa shkurre në parcelën e tij dhe ishte larguar. Zjarri kishte dalë jashtë kontrollit dhe për pasojë, u dogjën njëqind e njëzetepesë rrënjë mollë në pronësi të fermerit vendas Vaiz Xhaja, një dëm me vlerë rreth tridhjetë mijë lekë"

Shkodër

Arrestohet 53-vjeçari, dyshohet se mbolli Cannabis

Policia e Shkodrës ka arrestuar dje një 53-vjeçar pasi kishte mbjellë hashash në tokën e tij. Prekë Marku, 53 vjeç, lindur e banues në fshatin Kishë-Arrë, Komuna Temal të rrethit Shkodër është arrestuar sot pasi në bazë të informacioneve të marra, nga policia në rrugë operative dhe pas një kontrolli të ushtruar, u bë i mundur identifikimi i një parcele të mbjellë me 23 rrënjë bimë narkotike Cannabis sattiva, bimë të cilën i akuzuari e kishte mbjellë në tokën në pronësi të tij. Policia i komunikoi 53-vjeçarit masën e arrestit për veprën penale të “Kultivimit të bimëve narkotike” ndërsa asgjësoi hashashin.

10 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›