Opozita kosovare kritikon qeverinë: Lobimi i pamjaftueshëm
Përfaqësues të opozitës kosovare thonë se Ministria e Punëve të Jashtme dhe institucionet e tjera përgjegjëse në lobimin për njohjen e shtetit të Kosovës, janë në një krizë të brendshme. Njohja e fundit e Kosovës në muajin korrik nga Republika Dominikane, sipas nënkryetarit të Aleancës Kosova e Re, Ibrahim Makolli, dëshmon se përveç paralajmërimeve të zyrtarëve për njohje të reja, nuk po ndodh asgjë në skenën ndërkombëtare, që do të ishte në favor të rritjes së numrit të njohjeve për Kosovën.
“Ministria e Punëve të Jashtme, por edhe institucionet e tjera që janë të detyruara me Kushtetutë që të veprojnë në ketë drejtim, nuk kanë një qasje serioze, prej një kohe të gjatë Kosova nuk është njohur nga asnjë vend. Në anën tjetër, kemi deklarata të përditshme pompoze nga ana e përgjegjësve të këtyre institucioneve që në këtë javë, ose në javën tjetër, Kosova do të njihet nga kaq ose aq shtete”,- thotë Makolli. Ndërsa, përfaqësues të Ministrisë së Punëve të Jashtme, pohojnë se kanë shfrytëzuar të gjitha kapacitetet e mundshme për t’i bindur shtetet hezituese, që ta njohin Kosovën. Zëdhënësja e MPJ-së, Albana Beqiri, thotë se lobimi për njohjet e reja zhvillohet në vazhdimësi, por për shkak të korrektësisë ndaj vendeve që janë në proces të njohjeve, paralajmërimet për këto njohje nuk bëhen publike pa konfirmime zyrtare.
10 Shtator 2009