E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e biznesmenit, prokuroria rimerr në pyetje miqtë e Habazajt

 

VLORE - Prokuroria e Vlorës ka rifilluar marrjen në pyetje të personave të afërm të biznesmenit Genci Habazaj, i cili pasi u masakrua, u dogj nga vrasësit 10 ditë më parë në zonën e Fierit. Shokë e miq të 39-vjeçarit, si dhe persona të tjerë të dyshuar se mund të kenë dijeni për mosmarrëveshje apo konflikte të mundshme të Habazaj në Shqipëri apo edhe në Itali, janë pyetur për disa orë nga grupi hetimor. Gjithashtu, në pyetje janë marrë edhe familjarë të viktimës, ish-bashkëshortja e tij si dhe të afërm të tjerë të kësaj të fundit. Sipas burimeve nga grupi hetimor, të gjithë këta pyetur për të siguruar të dhëna me qëllim për të ngushtuar rrethin e të dyshuarve si autorë të mundshëm të kësaj ngjarjeje, që tronditi qytetin e Vlorës. Mësohet se ende nuk ka ardhur përgjigjja e zbardhjes së telefonatave, të numrave të viktimës në Itali dhe më kryesori, numri shqiptar me të cilin 39-vjeçari ka folur për herë të fundit. Gjithashtu, ende nuk kanë dalë analizat balistike të dy gëzhojave të gjetura në vendngjarje. Vëllai i Genci Habazajt, Alberti u shpreh dje se e gjithë familja e tij është e shokuar për këtë ngjarje. "Na kanë marrë në pyetje. Ne deklaruam ato që dimë, pasi vëllai im ka qenë i rregullt dhe pa konflikte. Shihte punën e tij. Deri më sot nuk kemi asnjë sinjal për shkakun e masakrimit të tij. Ne kërkojmë që hetimet të vazhdojnë edhe në Itali, pasi nëse ka diçka mund të jetë vetëm andej", u shpreh vëllai i viktimës. Ai hodhi dyshime se në kurth vëllanë e tij e kanë futur shokët dhe të njohurit e tij, të cilëve u besonte. Ndërsa shkak sipas familjarëve mund të jetë biznesi i tij.                                      q.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›