E Shtunë, 31 Tetor 2026

Avokatët dështojnë gjyqin e "Gërdecit"

 

Armand Bajrami
Procesi gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si përgjegjës në shpërthimin e Gërdecit, që po gjykohen në Gjykatën e Tiranës, u shty dje duke rrezikuar të futet në "radhën" e proceseve që zva-rriten pa fund për mungesë avokatësh. Seanca e djeshme dështoi për shkak të mungesës së avokatit mbrojtës të të pandehurit Dritan Minxolli. Për shkak të numrit të madh të të pandehurve të kësaj dosjeje, që arrijnë totalin e 29 personave, një prej të cilëve shoqëria "Albademil" si person juridik, ky gjykim u konsiderua dje nga pala mbrojtëse si proces i vështirë. Për këtë arsye avokatët sugjeruan ndarjen e dosjes, ndërsa pala e akuzës pretendoi se qëndrimi i Prokurorisë do të shprehet kur kjo kërkesë të bëhet në momentin e duhur procedural.
SEANCA
Para se të fillonte me prezantimin e palëve në sallën e gjyqit, kryesuesi i togave të zeza të këtij procesi, gjyqtari Ridvan Hado njohu trupën e re të prokurorëve. Të ndërruar pak kohë më parë, për shkak të kalimit të kësaj dosjeje nga Gjykata e Lartë, në Gjykatën e Tiranës, pala e akuzës do të përfaqësohet nga prokurorët Altin Dumani, shef i Task Forcës në Prokurorinë e Tiranës, Genci Qano, zëvendësprokurori i kryeqytetit, Petrit Bica, prokuror ushtarak, si dhe Marjeta Zaimi, prokurore në sektorin e vrasjeve në të njëjtin institucion. Në vijim gjykata konfirmoi mungesën e avokatit Arben Prifti, i cili mbron të pandehurin Dritan Minxolli. Avokati kishte dijeni për orën dhe datën e gjykimit dhe se nuk paraqiti arsye për mungesën e tij, gjykata vendosi zëvendësimin e tij me një avokat kryesisht. Vetëm pesë prej të pandehurve ishin të pranishëm dje në sallën e gjyqit, ndërsa vihej re mungesa e katër të pandehurve të arrestuar të këtij procesi, Mihal Delijorgji, Ylli Pinari, Dritan Minxolli dhe Sokol Gjeci. Pas zëvendësimit të avokatit që çoi në dështimin e seancës, gjykata pranoi kërkesën e Prokurorisë për pezullimin e afatit të paraburgimit për të arrestuarit. Në përfundim seanca e radhës u shty për në 23 shtator.
PROCESI
Një nga proceset më të bujshme gjyqësore, ai për të akuzuarit si shkaktarë të ngjarjes së marsit 2008 në Gërdec, ku humbën jetën 26 persona dhe u plagosën 300 të tjerë, shënoi dje dështimin e radhës në dhomën penale të gjykatës së kryeqytetit. I nisur për t'u shqyrtuar fillimisht në Gjykatën e Lartë, një vendim i kësaj të fundit më 2 maj të këtij viti veçoi një nga të pandehurit, ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu, nga pjesa tjetër e dosjes. Sipas këtij vendimi, në Gjykatën e Lartë do të gjykohej vetëm ish-ministri, ndërsa dosja në ngarkim të të pandehurve të tjerë u dërgua në Shkallën e Parë.

Haxhia: Të ndahet dosja "Gërdeci"
TIRANE - Maks Haxhia, kreu i Dhomës së Avokatisë së Tiranës shprehu dje nevojën e ndarjes së dosjes së të pandehurve të Gërdecit. "Sot mungoi një, nesër mund të mungojnë më shumë. Organi i akuzës duhet të shikojë mundësinë për ndarjen e dosjes, në mënyrë që t'i hapë rrugë zhvillimit të procesit", tha avokati Haxhia, i cili në këtë proces mbron interesat e personit juridik, shoqërisë "Albademil". Sipas avokatit Haxhia, numri i madh i të pandehurve në këtë dosje dhe karakteri i saj voluminoz do ta shtynin dhe bën të pashmangshme dështimet e seancave prej mungesës së avokatëve. Ndërsa përfaqësuesit e akuzës pohuan se dje nuk ishte momenti i duhur procedural për një kërkesë të tillë. "Ky nuk është momenti i duhur procedural për një kërkesë të tillë. Në momentin e duhur për t'u paraqitur një kërkesë e tillë, ne do të mbajmë qëndrimin tonë", u shpreh prokurori Altin Dumani. Ndërsa referuar avokatëve, bëhet e ditur se me nisjen e shqyrtimit prej tyre do të kërkohet veçimi i çështjes për ish-ushtarakët e Ministrisë së Mbrojtjes, të pandehur në proces.                                                                      ar.ba

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›