E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e bankës, pranga tre shqiptarëve në Itali

 

Shkatërrohet banda e grabitjes së vilave luksoze, në pranga 3 shqiptarë dhe 1 italian. Lajmin e bëjnë të ditur mediat italiane, sipas të cilave, anëtarët e një bande grabitësish shqiptaro-italianë u arrestuan gjatë një operacioni blitz të karabinierëve të Varezës dhe Foxhias në Itali. Ndalimi i tyre u bë në kuadër të hetimeve për zbardhjen e tentativës për grabitje të njërës prej degëve të Bankës Popullore. Ngjarja në fjalë ka ndodhur më 31 gusht në Xherminjana, kur një burrë me fytyrë të mbuluar me një çorape të zezë dhe me një thikë në dorë, u detyrua të arratisej pasi drejtori i degës mundi t'i bjerë alarmit në kohë, ndërsa ai po e kërcënonte për të rrëmbyer paratë që ndodheshin aty. Rënia e alarmit u mundësoi karabinierëve të Varezës të nisin një operacion, i cili çoi në arrestimin e 3 shqiptarëve të moshës nga 28 në 32 vjeç, të gjithë rezidentë me dokumente të rregullta në Itali dhe një 26-vjeçari italian, që mendohet se është bashkëpunëtor i tyre. Të arrestuarit njiheshin si persona me precedentë penalë për krime kundër pasurisë, ndërkohë që mendohet se ata punonin për llogari të krimit të organizuar puljez. Pas rënies së alarmit të bankës, karabinierët rrethuan zonën. Ndërkaq grabitësit braktisën makinën e përdorur për vjedhjen dhe hipën në një makinë tip BMW bojëqielli, në pronësi të një prej të arrestuarve. Makina u gjet më pas në Xherminjana, në shtëpinë e organizuesit të grabitjes. Shqiptari arrestohet, por gjatë marrjes në pyetje i rrëfen prokurorit se nuk do të tregojë emrat e bashkëpunëtorëve. "Nuk do të tregoj kurrë emrat e bashkëpunëtorëve. Kam frikë për vëllezërit e mi në Shqipëri" mësohet të jetë shprehur ai. Ndërkaq në shtëpinë e të arrestuarit, policia gjen thikën e përdorur për grabitjen, çorapen e përdorur si maskë, si dhe dokumentet e 3 personave të tjerë të kërkuar. Këta të fundit kishin mbërritur në Varezë vetëm 48 orë para grabitjes dhe gjithçka tregonte se ishin gati për t'u rinisur. Makina ishte prova që çoi gjithashtu në zbulimin e identitetit të 3 të kërkuarve të tjerë: të pronarit të saj, shoferit dhe italianit, i cili mësohet se ishte dhe personi që tentoi grabitjen. Njëri nga shqiptarët mundi të largohej, por policia e arrestoi në rrethinat e Foxhias, duke e dërguar atë në qelitë e paraburgimit së bashku me dy shqiptarët e tjerë.        f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›