Durrës, Dako aplikon për kartën, apel qytetarëve pa pasaporta
Kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako ka qenë në orët e paradites dë djeshme në rajonin nr.2 të Durrësit për të kryer aplikimin për kartë identiteti. Kryebashkiaku Dako, pasi ka dorëzuar kuponin, ka kryer edhe aplikimin përkatës në këtë rajon ku përfshihet lagja e tij e banimit. Pas aplikimit, kryebashkiaku Dako u ka bërë një apel të gjithë qytetarëve që janë pa pasaportë, të aplikojnë për këto karta sa më parë dhe të marrin në këtë mënyrë përgjegjësinë e tyre kundrejt qytetit dhe vendit në procesin e votimit.
Njëkohësisht, kryebashkiaku i Durrësit Dako ka përsëritur thirrjen drejtuar qeverisë që për shtresat me vështirësi ekonomike kjo kartë të shpërndahet falas: Me këtë rast dua ti bëj një thirrje të gjithë qytetarëve, por veçanërisht atyre që janë pa pasaportë të bëjnë sa më parë aplikimin për marrjen e kartës së identitetit në mënyrë që ata të mos i shmangen procesit të votimit, i cili është një proces mjaft i rëndësishëm. Duke marrë kartën e identitetit, këta qytetarë do të marrin përsipër përgjegjësinë e tyre ndaj qytetit dhe vendit përsa i përket procesit të votimit, i cili është një proces mjaft i rëndësishëm dhe nuk duhet të qëndrojë askush indiferent për votën. Njëkohësisht, i bëj edhe një herë thirrje qeverisë që të shpërndajë kartat falas, pasi ka një shtresë të gjerë qytetarësh që janë në gjendje shumë të vështirë ekonomike dhe e vetmja mënyrë për të mos i privuar ata nga vota është dhënia e kartës falas, është shprehur Dako. Në qytetin e Durrësit deri tani janë shënuar 28 000 aplikime, ndërkohë që rreth 28 000 persona janë pa pasaporta, por jo të gjithë kanë aplikuar për kartë identiteti, pasi në këtë numër aplikimesh shumë prej tyre kanë qenë të pajisur me pasaporta. Kjo ka qenë arsyeja që kryetari i Bashkisë së Durrësit me rastin e aplikimit të tij për kartë identiteti ka dashur njëkohësisht të sensibilizojë të gjithë personat që janë pa pasaporta të kryejnë këtë proces në mënyrë që të mos shmangen nga votimi ditën e zgjedhjeve.