E Diel, 1 Nëntor 2026

Prag sezoni turistik në Vlorë, asnjë investim nga bashkia për largimin e fekaleve nga deti

Vetëm një muaj përpara hapjes së sezonit turistik në qytetin e Vlorës, thuajse asgjë nuk është bërë në përmirësimin e kushteve dhe pritjen sa më mirë të turistëve vendas dhe të huaj. Nëse infrastruktura tokësore edhe mund të rregullohet disi gjatë kësaj kohe, uji i detit mesa duket edhe këtë vit do të ketë fatin e viteve të tjera, do të jetë përsëri i papastër dhe problem shëndetësor për ata që do të preferojnë plazhet e qytetit për të kaluar verën e këtij viti. Bëhet fjalë sidomos për plazhin që shtrihet nga Skela në Ujin e Ftohtë që është aktualisht edhe plazhi më i rrahur nga pushuesit. Shqetësimi më i madh në këtë rast është derdhja e ujërave në zeza direkt në det. Duke qenë se në këtë hapësirë ranore derdhen ujërat e lagjes më të madhe në këtë sezon, asaj 10 korriku që gati trefishohet gjatë këtij sezoni, falë ardhjes së qindra-mijëra turistëve vendas dhe të huaj, shqetësimi është i madh jo thjeshtë për erën e keqe dhe të padurueshme që përhapet në këto hapësira, por edhe për ujin që ndotet dhe bëhet epiqendër epidemish të ndryshme. Ka kohë që përflitet për këtë problem, por gjithë kambanat bien në vesh të shurdhër. Duket edhe këtë vit veshët e bashkisë së qytetit për këtë problem kanë qenë të pandjeshëm. Kjo për faktin se në hapësirën ranore nga Skela në Ujin e Ftohtë derdhen direkt e në det rreth 10 kanale të ujërave të zeza të kësaj lagjeje. Më të dukshme, këto janë në hapësirën pranë shkollës së Marinës, ku ka dyndje pushuesish për vetë afërsinë e këtij plazhi me qytetin. Duke qenë se shumica e këtyre pushuesve vijnë pa makina dhe nuk e kanë mundësinë e shkuarjes në plazhet e Orikumit dhe të Radhimës, ata detyrohen të pushojnë në këtë plazh. Mirëpo edhe nga praktika e vjetshme dhe e viteve më parë, ndonëse janë të detyruar të rrinë aty, ata kanë hasur gjendje të mjerueshme të ujit të detit, të përzier me ujërat e zeza që derdhen direkt e nga banjot e lagjes pranë. Vjet, në shumë raste pushuesit përveç pakënaqësive të çastit u përballën edhe me sëmundje të ndryshme lëkure, gjë që nuk është çudi të ndodhë edhe këtë vit se në drejtim të higjienës së detit nuk është marrë asnjë masë të paktën deri këto ditët e fundit. Por duket se nuk do të merren edhe në ditët në vazhdim gjatë interesimit pranë drejtorisë së ndërmarrjes së shërbimeve publike në bashki, mësohet se ajo po merret më së shumti me prurje të rërës në këtë plazh. Ndërsa, sapo i pyet drejtuesit e kësaj ndërmarrjeje se çdo të bëhet me derdhjen në det të ujërave të zeza, të gjithë largohen duke ngritur supet. Me sa duket, këta drejtues janë të zënë me punë teksa ndihmojnë një individ që mes rërës së plazhit të ri, që edhe në gjendjen e sotme është e paktë të presë turizëm, po ngre me urgjencë një disko, kur dimë saktësisht se edhe në kohën e mbretit Zog, nuk lejoheshin ndërtime në distancë deri në 100 metra nga uji i detit. Por ligjet pak rëndësi duket se kanë në bashkinë e qytetit bregdetar, pasi në plan të parë janë fitimet që do të nxirren nga kjo disko. Që ashtu mes rërës së pakët, duket sfiduese ndaj propagandës së pritjes së hapjes së sezonit turistik.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›