E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berat, vritet 30- vjeçari se gërvishi makinën

BERAT- Një ngjarje e rëndë ka terrorizuar mëngjesin e djeshëm qytetin e Beratit teksa një person i sapo kthyer nga emigracioni është vrarë vetëm për një gërvishje makine. Viktima është 30- vjeçari Erion Toska ndërsa vrasësi është Përparim Mahmutaj, 40 vjeç. Ai është arrestuar nga policia vetëm tre orë pas krimit.


Burime nga vendi i ngjarjes pohuan se gjithçka ka ndodhur dje rreth orës 07 e 45 minuta të mëngjesit të djeshëm në lagjen Çelepias të Beratit. Viktima Erion Toska kishte vetëm pak ditë që kishte ardhur nga emigracioni dhe mëngjesin e djeshëm po shoqëronte të vëllanë teksa po mbaronte disa punë. Ata ishin duke lëvizur me makinën e tyre në një prej rrugicave të qytetit kur në një moment janë takuar me një makinë tjetër. Si pasojë e fërkimit, të dyja makinat janë gërvishur në pjesën e pasqyrave.

Në këtë moment ka dalë me shpejtësi pronari i makinës tjetër, Përparim Mahmutaj, i cili ka nisur që të debatojë ashpër me Toskën dhe vëllanë e tij. Dëshmitarët pohuan se situata është tensionuar tej mase dhe në një moment Përparim Mahmutaj ka nxjerrë një pistoletë që kishte me vete dhe ia ka drejtuar dy vëllezërve Toska. Ai ka shkrepur armën në drejtim të tyre duke qëlluar Erion Toskën në kokë. 30-vjeçari është rrëzuar përdhe në një pellg gjaku ndërsa autori i krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Vëllai ka marrë trupin e Erion Toskës dhe pasi e ka hipur në makinë e ka nisur me shpejtësi drejt spitalit të qytetit. Burime nga spitali pohuan se viktima ka mbërritur aty i vdekur si pasojë e plumbit që kishte marrë në kokë.


Policia lokale ka shkuar në vendin e ngjarjes duke marrë të dhënat e para dhe identifikuar autorin e krimit. Arratia e Përparim Mahmutajt ka zgjatur vetëm tre orë pasi ai është kapur nga uniformat blu, të cilat kanë ngritur edhe akuzën e vrasjes me dashje.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›