E Diel, 1 Nëntor 2026

Vetura përplaset me autobuzin e turistëve, një i vdekur

Aksidenti i ndodhur në aksin Qafë Thanë Librazhd. Autobuzi kishte me vete udhëtarë nga Kosova

LIBRAZHD- Një shtetas ka humbur jetën ndërsa një tjetër ka mbetur i dëmtuar rëndë nga një aksident i regjistruar në aksin nacional Qafë-Thanë-Librazhd teksa janë përplasur një autoveturë më një autobus kosovar. Aksidenti është regjistruar në vendin e quajtur "Hunda e Rrajcës" në hyrje të qytetit të Përrenjasit. Automjeti tip Audi me targa "LA 6447 A", i drejtuar nga shtetasi Agim Neziri 49 vjeç teksa udhëtonte me drejtim Tiranën është përplasur me autobusin me targa "KS 8913 EL74", i cili nuk kishte pasagjerë dhe udhëtonte me drejtim Kosovën. Autobusi drejtohej nga shtetasi Shkëlzen Xhafa me banim në Mitrovicë. Si pasojë është dëmtuar për vdekje shtetasi Ibrahim Samuni me banim në Laç.


Megjithëse i është dhënë ndihma e parë për burrin nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi. Viktima ka mbetur për disa orë i paidentifikuar për shkak se nuk dispononte asnjë lloj dokumenti. Drejtuesi i mjetit Audi ka pësuar gjithashtu dëmtime dhe ndodhet në spitalin e Librazhdit. Në vendin e aksidentit kanë mbërritur efektivat e policisë rrugore dhe ekspertë të qarkullimit. Nga verifikimet e para të policisë mendohet se shkak i këtij aksidenti është shpejtësia tej normave të lejuara dhe humbja e kontrollit të mjetit. Sipas policisë, edhe pse shoferi nga Kosova ka kryer manovrat e duhura për shmangien e aksidentit, kjo gjë ka qenë e pamundur dhe ka ardhur përplasja fatale. Ky segment konsiderohet problematik për sa i përket numrit të aksidenteve pasi në këtë periudhë ka edhe fluksin më të madh të qarkullimit nga turistët kosovarë, emigrantët dhe lëvizja e mallrave.



Përmbyset autokombajna, vdes shoferi
Drejtuesi i një autokombajne mbeti i vdekur dje në një prej akseve të qytetit të Librazhdit, pas përmbysjes së saj. Nuri Musaraj, 58 vjeç, është drejtuesi i mjetit korrës që mbeti i vdekur pasi ajo u përmbys duke e zënë poshtë atë. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur njerëz të ndryshëm që janë munduar të ndihmojnë drejtuesin e mjetit, por që për fat të keq ai kishte ndërruar jetë. Një grup hetimor është duke hetuar shkaqet që sollën aksidentin fatal për autokombajnën dhe viktimën e dytë brenda pak orëve. Nga veprimet e para, policia ka konkluduar se vdekja ka ardhur për shkak të aksidentit, ndërsa përmbysja e autokombajnës dyshohet të ketë ndodhur për shkak të rrugës. Gjithsesi ekspertët pritet që në ditët në vazhdim të nxjerrin dhe shkaqet e aksidentit, nëpërmjet një akt- ekspertimi autoteknik të mjetit.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›