Berat, zhduket në mënyrë misterioze 16-vjeçarja
Vajza ishte fejuar me një oficer të policisë kriminale por kishte edhe një lidhje me një moshatar. Mister shkaqet e largimit
BERAT- Një vajzë 16-vjeçare nga Berati, nxënëse në vitin e dytë të shkollës së mesme, është zhdukur pa lënë gjurmë që prej pasdites të së hënës. Sola Paraspuari është larguar pa lënë asnjë gjurmë dhe askush nuk di gjë për vendndodhjen e saj. Vajza jetonte menënën dhe vëllanë më të vogël dhe fqinjët e tyre tregojnë se situata në familje nuk ishte shumë e qëndrueshme që pas ndarjes së bashkëshortëve Paraspuari disa vite më parë. Vajza ishte dashuruar me një oficer të policisë kriminale, në komisariatin e policisë së qytetit të Beratit, me të cilin edhe është fejuar një vit më parë. Sipas burimeve të afërta familjare, ajo bashkëjetonte me oficerin e policisë kriminale, emri i të cilit nuk bëhet i ditur nga policia për arsye hetimi.
Zhdukja
Ka qenë pikërisht i fejuari i vajzës, ai që ka denoncuar largimin e 16-vjeçares në mënyrë të mistershme, duke dëshmuar njëkohësisht se dyshonte se vajza veç lidhjes me të kishte edhe një lidhje tjetër. Nga të dhënat e para është mësuar se vajza kishte një lidhje me një djalë të moshës së saj dhe mendohet se mund të jetë larguar me të. Menjëherë pas këtij informacioni, policia ka shoqëruar në komisariat bashkëmoshatarin e Solës, që mendohet të jetë edhe i dashuri i saj. Burimet zyrtare të policisë kanë konfirmuar se djali i shoqëruar ka pohuar në polici se ka pasur lidhje të vazhdueshme me vajzën, edhe gjatë periudhës që ajo ishte e fejuar me oficerin e policisë kriminale, por ai ka dëshmuar se nuk është në dijeni dhe nuk ka lidhje me largimin e saj nga shtëpia. Në këto kushte policia lokale ka vazhduar hetimin duke përcjellë të dhënat dhe fotografinë e vajzës në të gjitha komisariatet dhe postat e policisë të qyteteve rreth Beratit me shpresë se ndonjë prej tyre do të ketë të dhëna në lidhje me vajzën e zhdukur. Hetuesit shpjeguan se ka qenë vetë oficeri i policisë kriminale që ka kërkuar ndihmën e kolegëve për të gjetur të fejuarën, nga e cila kishte shkëputur lidhjet 24-orë më parë. Ata kishin drekuar së bashku në një prej lokaleve të qytetit dhe më pas vajza i ka thënë se do të shkonte në shtëpinë e nënës së saj. Por kur oficeri ka shkuar pasdite në shtëpinë e familjes së vajzës për ta takuar, ka zbuluar se ajo nuk kishte shkuar fare aty. Ai së bashku me nënën e vajzës kanë pritur deri në mëngjes për të parë nëse ajo do të kthehej apo jo e më pas kanë bërë denoncimin përkatës.
Shkolla
Vajza e mitur është nxënëse në shkollën e mesme të përgjithshme "Kristaq Capo", vetëm pak metra larg shtëpisë së saj. Shokët e saj të klasës kanë pohuar se Sola ka qenë gjithmonë një vajzë e hedhur dhe e pavëmendshme në mësime. Madje, sipas nxënësve, ajo nuk i ndiqte rregullisht mësimet dhe ka pasur shumë raste kur ajo linte pa zhvilluar dy orët e fundit të çdo dite mësimi. Gjendja ishte përkeqësuar gjatë dy- tre javëvë të fundit pasi vajza nuk e frekuentonte fare shkollën dhe se për këtë problem drejtoria e shkollës ishte bërë gati për të marrë masën e përjashtimit nga radhët e saj.