E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vdekja e 17 vjeçares, Ndoka asnjë raport përfundimtar

Ministria e shëndetësisë, si institucion përgjegjës për sistemin shëndetësor publik ne vend, nuk ka ende një raport përfundimtar për vdekjen e 17 vjeçares Matilda Petriti ne QSUT. Ministri Nard Ndoka në të parën deklaratë pas kësaj ngjarje thotë se gjithë dokumentacioni i plote i pavijonit ku vdiq vajza dhe i klinikes private ne Pogradec ku ajo ishte operuar, i janë vene ne dispozicion prokurorisë qe do te zbardhe shkaqet e vdekjes. Ministri Ndoka, pas kësaj ngjarje te dhimbshme është kujdesur me shume per imazhin e mjekeve, mbi te cilët kërkon te mos bjere balte padrejtësisht.

Ministri i shëndetësisë ka pranuar se salla e reanimacionit ne spitalin francez ku vdiq adoleshentja nuk është ne parametrat e duhura, por e përjashton kete mangësi nga shkaqet për vdekjen e vajzës. Sipas Ndokes, kontrollit te klinikave private nuk i ka shpëtuar as ajo ne Pogradec, ku 17 vjeçarja nga Maliqi operoi bajamet. Ministri i shendetesise pohon se kjo klinike ishte ne kushte tërësisht normale.

Vdekja e 17 vjeçares po hetohet nga nje grup ekspertesh ne prokurorinë e Tiranes. Ekspertiza mjeko ligjore e këtij rasti ndërkohë nuk ka nxjerre ende një raport përfundimtar mbi shkaqet qe çuan vajzën 17 vjeçare drejt vdekjes 20 dite pas operacionit te bajameve.

I gjithë fshati vishet me të zeza e kurora lulesh. Familjarët e Matilda Petritit akuzojnë mjekun Hoxhallari për vdekjen

KORÇË- Familjarët e vajzës 17-vjeçare Matilda Petriti që gjeti vdekjen tre ditë më parë pas komplikacioneve të një operacioni të thjeshtë për heqjen e bajameve, kanë akuzuar sërish mjekun Hoxhallari. Ditën e djeshme, në fshatin e saj të lindjes, është zhvilluar ceremonia mortore e vajzës dhe të afërmit kanë hedhur akuza se mjeku nuk ka bërë siç duhet punën e tij duke lënë vajzën që të vdiste. Ndërkohë, kolegët e doktorit janë përpjekur që ta mbrojnë atë duke thënë se Xhevahir Hoxhallari nuk mund të dinte se venat e gjakut të vajzës në zonën e bajameve, ishin shumë delikate. Një ditë përpara vdekjes ajo ka qenë në spitalin e Korçës dhe mjekët lokalë përpiqen të mbulojnë gabimet e kolegut të tyre duke deklaruar se ajo ishte me parametra normalë.

Varrimi

Fshati Libonik në rrethin e Korçës është veshur dje me të zeza teksa të gjithë banorët kanë dalë të përshëndesin për herë të fundit 17- vjeçaren Matilda Petriti. E veshur si nuse por në një arkivol, vajza ka dalë nga shtëpia e saj për herë të fundit dhe është drejtuar për në varrezat e fshatit. E gjithë rruga nga shtëpia e familjes Petriti, deri në varrezat e fshatit ishte mbushur me njerëz, të cilët mbanin në dorë kurorat mortore. Dalë nga dalë kortezhi i shoqëruar nga i gjithë fshati ka përshkuar rrugën për në banesën e fundit të 17-vjeçares që gjeti vdekjen pak ditë pasi kishte kryer një operacion të thjeshtë për heqjen e bajameve. Gjatë ceremonisë mortore, mes vajit dhe lotëve, familjarët kanë akuzuar sërish mjekun se është njeriu përgjegjës për vdekjen. Sipas tyre, ai ka bërë operacionin në klinikën private por pa zbatuar asnjë rregull e për pasojë solli këtë tragjedi. Ndërkohë daja i i vajzës, Luan Adili, është shprehur se operacioni duhej bërë patjetër pasi vajza kishte për shkak të bajameve të infektuara shqetësime të vazhdueshme të shoqëruara me dhimbje fyti dhe me temperaturë. Kjo gjë e bënte atë që të mungonte në shkollë dhe të qëndronte shtrirë me temperaturë të lartë. "Në këto kushte menduam t'i bënim një operacion të thjeshtë për heqjen e bajameve por gjithçka shkoi keq",- thotë mes lotëve daja i vajzës.

Mjekët

Por në mbrojtje të kolegut të tyre janë vënë dje një pjesë e madhe e mjekëve të spitalit të Korçës. Nëndrejtori i spitalit në Korçë, mjeku Ilir Koroveshi, është shprehur se shkaku që solli vdekjen, është një anomali individuale e vajzës që ka të bëjë me enët e gjakut. "Pjesa e enëve të gjakut të pacientes ka qenë problematike, pikërisht në zonën që është kryer operacioni. Ishte pikërisht reaksioni i organizmit të pacientes pas operacionit që ndikoi në zonën anomalike,"- ka pohuar Koroveshi. Sipas tij, para operacionit të bajameve nuk bëhen analiza të enëve të gjakut që mund të parandalonin çarjen e tyre. "Në këtë logjikë mjeku që bëri ndërhyrjen kirurgjikale as që mund ta dinte se enët e gjakut në fytin e pacientes së re, pikërisht tek vendi ku do të kryhej operacioni ishin të dobëta",- thotë mjeku në ndihmë të kolegut të tij. Kolegët e tjerë shpjegojnë se 17- vjeçarja ka shkuar në spitalin e Korcës për herë të fundit një ditë para vdekjes së saj. "Ajo ka qenë e shoqëruar nga mjeku Hoxhallari, ndërsa ka pasur një hemorragji të theksuar dhe i është bërë ndërhyrja e nevojshme për ndalimin e gjakut",- pohojnë mjekët. Sipas shefit të repartit të ORL-së në spitalin e Korçës, Maksi Lubonja, vajza është paraqitur me hemorragji, gjë që pas ndërhyrjes së mjekëve në këtë spital, ajo është ndërprerë. "Madje vajzës i është dhënë edhe gjak për të zëvendësuar humbjen e tij. Për mendimin tim shkaku i vdekjes është shoku hemorragjik",- thotë Lubonja, i cili pohon se vajza është nisur nga spitali i Korçës drejt Tiranës me parametra normalë.

Policia e Tiranës ka pohuar sekuestrimin e praktikave mjekësore të Matilda Petritit, në klinikën e Pogradecit

Sekuestro dokumenteve në klinikën e Pogradecit

TIRANË- Policia dhe Prokuroria e Tiranës po vazhdojnë hetimet për të zbardhur shkakun dhe përgjegjësitë e vdekjes në spital të adoleshentes nga Korça. Në një deklaratë për shtyp lëshuar ditën e djeshme, policia e kryeqytetit bëri të ditur se priten analizat e mjekësisë-ligjore për të përcaktuar shkakun e vërtetë të vdekjes së 17-vjeçares Matilda Petriti. "Rreth një muaj më parë, viktima ka kryer një ndërhyrje kirurgjikale për heqjen e bajameve në një klinikë në qytetin e Pogradecit dhe ditën e diel ka mbërritur në Tiranë për një mjekim më të specializuar në Spitalin Francez "Nënë Tereza" në Tiranë. Specialistët e seksionit Kundër Krimeve të Jetës dhe Shëndetit, pranë Policisë së Tiranës, kanë grumbulluar të gjitha praktikat mjekësore të viktimës, në klinikën e qytetit të Pogradecit", thuhet në deklaratën zyrtare të policisë së Tiranës. Gjithashtu bëhet e ditur se hetimi i ngritur pas ngjarjes në prani të Prokurorit të çështjes, ka marrë në pyetje për të përcaktuar pozicionin e tyre, dy mjekë, otorino-laringorol, pranë Repartit të O.R.L në spitalin "Nënë Tereza", të cilët kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale në Pogradec dhe prezent në momentet e fundit të jetës së 17-vjeçares. Ndërkohë që burime zyrtare nga policia thanë sedo të merren në pyetje edhe familjarët e vajzës për të mësuar rreth kushteve në të cilat ajo është mbajtur pasi është kryer operacioni. Policia bëri të ditur se do të hetohen kushtet në të cilat është kryer operacioni, nëse përgjegjësi i vdekjes së adoleshentes ka qenë doktori si dhe veprimet post operacion që janë kryer me vajzën. Megjithatë policia thanë se pritet përgjigjja e ekspertizës mjeko-ligjore e cila do të vulosë më pas edhe shkakun e përgjegjësin që shkaktoi fatin tragjik të Matilda Petriti. Deri më tani policia e prokuroria ende nuk kanë marrë asnjë masë ndaj mjekut Xhevahir Hoxhallari i cili kreu operacionin si dhe mjekut rojë pranë spitalit "Nënë Tereza". K. Kotorri

Mjekët ligjorë kanë përfunduar ekspertizën mbi trupin e vajzëz duke përcaktuar edhe shkakun përfundimtar të vdekjes

Ekspertiza: Vajzës iu zu frymëmarrja nga gjaku

TIRANË- Vdekja e 17- vjeçares Matilda Petriti ka ardhur si pasojë e mpiksjes së gjakut dhe mbylljes së organeve të frymëmarrjes nga gjakderdhja e madhe e arteries kryesore të qafës. Ky është konkluzioni paraprak i ekspertëve të Mjekësisë Ligjore, të cilët dy ditë më parë kryen autopsinë e vajzës 17- vjeçare. Sipas burimeve zyrtare pranë Mjekësisë Ligjore, mësohet se pacientja e doktorit Xhevair Hoxhallari, ndërroi jetë pas hemorragjisë së ardhur nga çarja e venës kryesore të qafës, vetëm disa orë pas ndërhyrjes së tretë kirurgjikalë në bajamet e vajzës 17- vjeçare. "Nga autopsia paraprake e kryer,ekspertët mjeko-ligjorë kanë konkluduar se vdekja e vajzës ka ardhur nga mpiksja e gjakut dhe bllokimi i organeve të frymëmarrjes nga gjakderdhja e shumtë. Pasi përveç gjetjes së gjakut të mpiksur në organet e frymëmarrjes, një sasi gjaku është gjetur edhe në stomakun e 17- vjeçares, gjak i cili kishte filluar të mpiksej",- thuhet nga burimet. Kjo gjakderdhje, sipas akt-ekspertimit, ka ardhur pas problemeve të mos ngjizjes së venës kryesore të prerë gjatë heqjes së bajameve. Po këto burime, nuk bëjnë të ditur shumë detaje në lidhje me përfundimin e akt-ekspertimit të kryer nga ekspertët mjeko ligjorë, ku mendohet se ky akt-ekspertim mund të jetë prova kryesore që organi i akuzës mund të dërgojë para përgjegjësisë penale mjekun që operoi 17- vjeçaren dhe kolegët e tij që rioperuan vajzën në QSUT. Të dhënat e hollësishme të mjekësisë ligjore pas autopsisë së vajzës Matilda Petriti pritet të kaloi në Prokurorin e Tiranës. Ndërsa, gjatë pasdites së djeshme, oficerët e policisë kanë dorëzuar në prokurorinë e kryeqytetit dosjen me të dhënat e mbledhura për vdekjen e vajzës 17- vjeçare Matilda Petriti.Pjesë të fashikullit hetimor janë bërë deklarimet e babait të viktimës Besim Petriti, mjekut Xhevair Hoxhallari, mjekut roje të dy ditëve më parë në Spitalin Francez konkretisht në pavijonin e ORL-së, mjekëve që kanë kryer ndërhyrjen kirurgjikale në Tiranë. MJEKU

"Nuk më kishte ndodhur më parë një gjë e tillë"

TIRANË- Mjeku që operoi vajzën 17-vjeçare është rrëfyer dje para gazetareve duke justifikuar sërish veten për veprimin e kryer. Xhevahir Hoxhallari ka mbrojtur ndërhyrjet mjekësore që ka kryer të vajza duke i quajtur si të rregullta. "Ky është rasti i parë, nuk më ka ndodhur më parë diçka e tillë. Vajza ka pasur hemorragji kur i hoqi bajamet, gjë që ndodh normalisht",- pohoi mjeku i akuzuar. Sipas tij, as kolegët e tjerë nuk kanë gjetur dot shkakun përse vazhdoi hemorragjia. "Unë nuk ndjehem përgjegjës për vdekjen e vajzës, por do t'i nënshtrohem hetimit",- ka pohuar mjeku i akuzuar për vrasjen e vajzës 17-vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›