E Diel, 1 Nëntor 2026

Mungojnë provat, shtyhet gjyqi i Shpëtim Zisës

 

Prova kryesore e prokurorisë është dëshmia e Zisës që pranon vrasjen e Besim Cengës por gjykata e merr me rezerva

DIBER- Brenda pak ditësh, trupi gjykues i gjykatës Dibër gjen si të "pamjaftueshme" provat për Shpëtim Zisën, të akuzuar për vrasjen makabre të 10- vjeçarit Besim Cenga, i cili banonte në lagjen "Kamen" të Peshkopisë. Edhe në seancën e djeshme gjyqësore nuk është vazhduar me procedurën e gjatë të gjykimit të këtij të akuzuari për vrasjen dhe përdhunimin e fëmijës 10- vjeçar, pasi gjykata nuk i ka vlerësuar të plota provat e sjella nga organi akuzues. Kjo është hera e tretë brenda pak ditësh që seancat në ngarkim të 19- vjeçarit shtyhen nga gjykata. Vetë i arrestuari herë e pranon vrasjen dhe herë jo, duke dhënë simptoma të një njeriu të papërgjegjshëm mendërisht dhe kjo e ka shtyrë trupin gjykues të kërkojë prova të mëtejshme nga ana e prokurorisë.

Madje këtë herë nuk është përcaktuar as data e ardhshme e gjyqit por u la si afat i pacaktuar, çka do të thotë se kjo çështje nuk do të jetë e lehtë për organin e procedimit të cilit i duhet të mbledhë prova më të qenësishme për të akuzuar 19 -vjeçarin Zisa dhe për ta shpallur atë fajtor. Prokurori ka paraqitur si provë në gjykatë rrëfimin e vetë të pandehurit Shpëtim Zisa që e ka pranuar krimin madje duke dhënë dhe detajet e kryerjes së tij, vendin, kohën dhe gjithçka tjetër lidhej me atë ditë. Por nga mënyra sesi Zisa e ka rrëfyer ngjarjen me të qeshur e pa treguar kurrfarë pendese, e ka çuar trupin gjykues të konkludojë se gjithçka ai thotë e bën nën efektin e papërgjegjshmërisë totale mendore, ndaj ka kërkuar fakte të reja që e implikojnë atë në këtë vrasje makabre. Besim Cenga, 10 -vjeçari nga lagjja Kamen e Peshkopisë u vra në 23 tetor të vitit 2007 ndërsa ende nuk është dhënë masa e dënimit ndaj vrasësit të tij, madje ka mundësi që sipas logjikës së ndjekur nga organi gjyqësor, i akuzuari për këtë vrasje që ka tronditur opinionin publik në Dibër dhe jo vetëm, Shpëtim Zisa një ditë dhe mund të lirohet për papërgjegjshmëri mendore.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›