E Diel, 1 Nëntor 2026

Berat, zjarri rrezikon puset e naftës

Berat- Një qark i shkurtër elektrik dogji arat e një fermeri dhe rrezikoi seriozisht përhajen e flakëve në zonën nr. 44 Naftëmbledhëse të Beratit. Punonjësit Zjarrfikës ka shpëtuar nga flakët një pus nafte pranë vatrës së zjarrit.

Ngjarja ndodhi sot në orët e mesditës në komunën Poshnje të Beratit. Nga flakët janë rrezikuar seriozisht shtëpitë e fshatit. Burime pranë Repartit Zjarrfikës në qytetin e Beratit bënë të ditur se “kanë qënë banorët e fshatit që ndodhen pranë zonës naftënxjerrëse të cilët sapo kanë pikasur rënien e zjarrit kanë kërkuar ndihmë. Mjetet zjarrëfikës kanë mbërritur menjëherë në vendin e ngjarjes dhe kanë lokalizuar flakët dhe më tej i kanë shuar ato”.

Punonjësit zjarrfikës kanë punuar për gati dy orë fikjen e zjarrit që kishte përfshirë gjithë arat e një fermeri duke i djegur rezervat ushqimore të bagëtive. Sipas punonjësve të zjarrfikëse, rjedhjet e naftës bruto në sipërfaqe kanë ndikuar në përhapjen me shpejtësi të flakëve. Por, ndërhyrja në kohë ka shmangur përfshirjen e një pusi nga flakët e zjarrit.

Nga hetimet e para të policisë mësohet se shkak i rënies së zjarrit është bërë një shkëndijë elektrike. Amortizimi i rrjetit të energjisë që përcillej për në pusin e naftës rrezikoi dhjetra puse nafte. Ndërkohë, që të mëdha ishin dëmet në pronën e fermerit, Hylmi Shushari.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›