E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kavajë, policia bashkiake dhunon biznesin

DENONCIMI/ Administratori i një agjencie funerali ka bërë kallëzim në polici për sekuestrime të paligjshme

Bashkiakët dhunojnë edhe përfaqësuesit e medias të cilët po xhironin sekuestrimin e paligjshëm të një firme

KAVAJË – Policia Bashkiake e Kavajës ndërhyn në mënyrë të kundraligjshme pranë një agjencie funeralesh në proces gjyqësor, duke sekuestruar objekte të saj, në një kohë që administratori i agjencisë, Fatos Cenko, ka bërë denoncim zyrtar ndaj këtij institucioni. Gjatë konfliktit në këtë agjenci, policët pjesëmarrës sulmuan e fyen edhe gazetarët e mediave, duke përplasur kamerat e duke kërcënuar me rrahje, gjëra këto të fiksuara në objektiva. Bëhet e ditur se dy nga policët kanë tejkaluar brutalisht detyrën e respektimit të mediave, duke sulmuar një prej kameramanëve që filmonte ndërhyrjen e tyre në firmën private. Ndërkaq, administratori i firmës bëri denoncim kundrejt këtij institucioni, duke u shprehur se Policia Bashkiake e Kavajës sekuestroi me dhunë mjetet e firmës ku ai punon pa asnjë procesverbal, vendim apo dokumentacion, që duhet të paraqiten në raste sekuestrimesh. Mësohet se punonjësitbashkiakë kanë marrë me dhunë mjetet e firmës, ndërkohë që kanë ushtruar dhunë edhe mbi median lokale. Pretendimet e bashkisë për këtë ngjarje të paligjshme janë se firma në fjalë po ushtronte aktivitet në një pronë private, në një kohë që kjo e fundit, qëushtron aktivitetin e shërbimit funeral në Kavajë, iu drejtua organeve të policisë në komisariatin e Kavajës. Më pas, në ambientet e firmës mbërritën edhe efektiva të seksionit të luftës kundër pronës dhe krimit ekonomik. Agjencia e funeraleve e ka akuzuar Bashkinë e Kavajës për një sërë veprimesh të paligjshme në dëm të saj, duke përfshirë bllokimin e aktivitetit, pavarësisht se është e licencuar prej vitesh në këtë sektor shërbimesh. Përfaqësuesit e firmës, ngjarjen në fjalë e lidhin me konfliktin e drejtpërdrejtë të kryetarit Refik Rrugia. Ata deklaruan se veprimet e paligjshme vijnë vetëm pak ditë pas një përplasjeje të ndodhur në ambientet e bashkisë mes inspektorëve të KLSH-së dhe administratës së bashkisë. Kjo e fundit nuk ka pranuar të vërë në dispozicion dokumentacionin e kërkuar nga KLSH për çështje të ndryshme që po kontrollohen prej një muaji në këtë bashki. KLSH ka gjetur abuzime të shumta nga drejtuesit e bashkisë, ndërkohë që komisioni i tenderave të bashkisë është aktualisht në gjykim nga gjykata e rrethit gjyqësor të Kavajës për veprat penale të “pabarazisë në tendera” dhe “vlerësim me dashje i dokumenteve të falsifikuara”. Në Gjykatën e Kavajës ekzistojnë edhe tri padi të tjera për bashkinë dhe kryetarin e saj Refik Rrugia për veprime të paligjshme në çështje të ndryshme. Konflikti i hapur ka muaj që është i pranishëm në opinionin publik të Kavajës dhe, me sa duket, është zgjedhur një moment për të vënë para faktit të kryer zgjidhjen e një konflikti me mjete shtetërore force të paautorizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›