PS: Njohja e patentave u bë me 3 vjet vonesë
Tiranë- Një marrëveshje që duhet të bëhej së paku 3 vite më parë, por që nuk u realizua për shkak të paaftësisë së qeverisë. Kështu e ka komentuar sot deputeti socialist, Besnik Devishi, marrëveshjen e firmosur dy ditë më parë mes vendit tonë dhe Italisë për njohjen e lejeve të drejtimit. Sipas tij, shitet si arritje e qeverisë ajo që është e sanksionuar në Kodin Rrugor Italian, e drejta e shtetasve të huaj për të përdorur patentën e shtetit të origjinës deri në një vit.
“Edhe konvertimi nuk bëhet në mënyre automatike, por shtetasit shqiptare përsëri do të detyrohen të japin provimin”- ka thënë Dervishi, gjatë një komunikimi me mediat, duke theksuar se se marrëveshja nuk është diçka e re.
Ai ka sqaruar se kjo marrëveshje është nënshkruar për herë të parë që në vitin 1993, por për shkak të mungesës totale të sigurisë që paraqitnin institucionet shqiptare dhe dokumentacioni i lëshuar prej tyre që kishte të bënte me lejet e drejtimit, ajo u pezullua nga pala italiane pa hyrë akoma mirë në fuqi.
Për këtë shkak, për vite të tëra ka qenë e pamundur që të rinegociohej me palën italiane.
Në vitin 2000, gjatë bisedimeve të komisionit dypalësh, më në fund u arrit që të negociohej me palën italiane, dhe kërkesa e tyre për njohjen reciproke të lejeve të drejtimit konsistonte në miratimin e një modeli të lejes së drejtimit nga pala shqiptare me elemente sigurie, gjë e cila u realizua që në vitin 2004.
Sipas tij, menjëherë në takimin e radhës janë depozituar modelet me elementë sigurie dhe kjo histori duhet të kishte përfunduar maksimumi që në vitin 2006.
“Në këtë rast edhe punën rutinë, për më tepër të bërë keq, kjo qeveri e quan sukses.
Por, ajo që anashkalohet dhe që është një situatë që ripërsëritet përsëri dy vitet e fundit, kur për vite të tëra konsiderohej një çështje e zgjidhur, është mungesa e autorizimeve për mjetet e transportit të mallrave për në Itali”- tha ai.
Dervishi e ka quajtur gjitha sa ka ndodhur, neglizhencë të institucioneve shqiptare që penalizon dhe rrit kostot e mjaft subjekteve ekonomike dhe shoqërive të transportit, duke i lënë ato edhe deri krejtësisht pa punë.
Sektori i transportit, sipas tij, është një sektor mjaft i rëndësishëm për zhvillimin ekonomik të vendit, një sektor qe duhet t’i paraprijë integrimit europian të vendit me aderimin në konventat përkatëse që na vendosin në të njëjtin pozicion me shtetet e tjera dhe që i japin mundësi operatorëve shqiptare të transportit të konkurrojnë, jo vetëm brenda vendit, por edhe në tregjet europiane.