Topi prezanton kreun e Gjykatës së Lartë
Tiranë-Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Gjykata e Lartë të jetë pjesë aktive në procesin e reformimit të pushtetit të drejtësisë dhe të jetë korrekte në zbatimin e ligjit.
Sot, gjatë një ceremonie të zhvilluar për prezantimin e kryetares së kësaj gjykate, Shpresa Beçaj, kreu i shtetit ka kujtuar se reforma në drejtësi është kushti kryesor për integrimin në BE dhe anëtarësimin me të drejta të plota në NATO.
“Jemi në momentet kur vendi është para dy proceseve madhore; realizimi i ëndrrës për integrim në BE, një nga kërkesat për të cilën është reforma në drejtësi. Jemi gjithashtu në fazën intensive kur presim të ratifikohet protokolli i aderimit me të drejta të plota në NATO dhe kryefjala e deklarimeve politike, institucionale dhe partnerëve tanë është reforma në drejtësi, që ne duhet ta realizojmë”- tha ai.
Duke uruar zonjën Beçaj për detyrën e re, Presidenti i Republikës ka shprehur besimin se e gjithë trupa tashmë e plotësuar e Gjykatës së Lartë do punojë me përkushtim e ndershmëri në sfidat që paraqiten në kuadër edhe të reformës në drejtësi: garantimi i shtetit të së drejtës dhe garantimi i veprimtarisë tepër të rëndësishme të të gjithë sistemit gjyqësor. “Sigurisht, këto sfida janë sfida të vështira, ka nënvizuar Presidenti Topi, dhe unë do të kërkoja që Gjykata e Lartë të punojë me shumë seriozitet, të zhvillojë aktivitetin e saj, jo thjesht në rutinën e punës së përditshme, por të jetë pjesëtare aktive për tërë këtë proces të reformimit të pushtetit të drejtësisë. Natyrisht, koha kërkon sot që bashkëpunimi të jetë serioz, të jetë intensiv, të jetë i matur, dhe kur them për komunikim institucional, them për një komunikim shumë serioz institucional, jo thjesht një bashkëpunim, i cili në mjaft raste ka ardhur vetëm nëpërmjet një komunikimi mediatik.”Në fjalën e tij para anëtarëve të Gjykatës së Lartë, Presidenti Topi ka përsëritur domosdoshmërinë e pavarësisë së pushtetit gjyqësor.
“Ajo që e kam thënë dhe herë të tjera, atë që s’po e them vetëm unë, por e thonë shumë aktorë institucionalë dhe partnerë ndërkombëtarë, është momenti të rishprehim edhe njëherë nevojën për pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Mos mendoni që pavarësia realizohet me një fjalë goje. Edhe tek vetë personi duhet të jetë koshienca e plotë që të fitojë pavarësinë individuale mbi bazën e zbatimit korrekt të ligjit, mbi bazën e zbatimit korrekt të të gjithë parimeve të profesionit të gjyqtarit, pastaj të krijohet mjedisi, të krijohen të gjitha kushtet që ne, dita-ditës të fitojmë betejën.”-tha ai.
Pasi ka marrë nga Presidenti i Republikës dekretin, Kryetarja e Gjykatës së Lartë ka falenderuar Kryetarin e Shtetit për besimin dhe Kuvendin për votimin unanim të këtij dekreti.
“Detyra e Kryetarit të Gjykatës së Lartë është e një rëndësie të madhe jo vetëm për drejtimin e këtij Institucioni të rëndësishëm, por edhe për shkak të funksioneve të tjera që rrjedhin nga ky post, si ai i Kryetarit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, Anëtar i KLD, etj, funksione këto në zbatim të Kushtetutes dhe ligjeve të tjera për organizimin e pushtetit gjyqësor e strukturave që lidhen me të”-tha Beçaj.
Shpresa Beçaj, është dekretuar nga Presidenti, Bamir Topi, dhe ështe votuar nga Parlamenti i Shqipërisë me 122 vota pro.