Berat, zjarri shkrumbon banesën
BERAT- Një banesë është përfshirë nga flakët mbrëmjen e dy netëve më parë në një fshat të rrethit të Beratit. Burime të repartit të zjarrfikëses në këtë qytet bëjnë të ditur se është marrë informacioni për një zjarr të rënë në fshatin Lapardha, komuna Otllak. Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur punonjësit e këtij sektori të cilët kanë konstatuar se banesa e Sulo Sofija në qendër të fshatit ishte përfshirë nga flakët. Punonjësit zjarrfikës kanë nisur nga puna menjëherë dhe kanë arritur të shpëtojnë nga flakët një pjesë të shtëpisë. Por, me gjithë mbërritjen e zjarrfikëse menjëherë në vendin e ngjarjes dhe vënien e mjeteve në punë kati i dytë i banesës është shkrumbuar, ku si pasojë janë djegur të gjitha orenditë shtëpiake që kishte kati i dytë i banesës. Pasi, është mundësuar lokalizimi i flakëve të zjarrit punonjësit e policisë që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes kanë nisur hetimet për të mësuar rreth shkaqeve të këtij zjarri. Nga hetimet e para dhe veprimet procedurale mësohet se shkak i rënies së këtij zjarri është bërë lënia e një sobë gazi hapur nga vetë familjarët.