E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vlorë, fëmija i braktisur dërgohet në jetimore

Djali 22 muajsh, Ardian Kapaj, ishte braktisur në spital më shumë se një vit e gjysmë më parë nga prindërit e tij
VLORË- Kishte jetuar një vit e gjysmë në Spitalin Pediatrik ku ishte braktisur nga prindërit e tij biologjikë dhe tashmë do të ketë mundësinë e një jete disi me normale, për aq sa mund t'ia lejojë qëndrimi në jetimore. Ka qenë këmbëngulja e mjekëve të pediatrisë, por edhe publikimi në media, të cilat përshpejtuan procedurat për djalin 22 muajsh Ardian Kapaj, që vetëm dje është dërguar në shtëpinë e foshnjës në Vlorë, duke i kaluar përfundimisht në kujdestari institucioneve të përkujdesit social. Pak javë më parë, ka qenë një shkresë e dyfishtë e cila i dërgohej Ministrisë së Punës dhe Çështjeve Sociale si dhe Ministrisë së Brendshme. Kësaj të fundit mjekët i janë drejtuar për ndihmë nga frika e ndonjë rrëmbimi të mundshëm, madje me tentativa konkrete kohët e fundit. Pas kësaj dy ministritë janë vënë në lëvizje.
Pak ditë më parë, një nga punonjësit socialë të degës së Vlorës ka kërkuar gjithë dokumentacionet e nevojshme të djalit në pediatri, duke premtuar përshpejtim procedurash. Sipas shefit të repartit të pediatrisë, Fatmir Brahimaj, gjithë dokumentacioni i nevojshëm ka qenë në repartin e tyre, pasi djali prej shumë kohësh ishte banor i këtij pavijoni. Po kështu nëpërmjet efektivëve të policisë së rajoneve ku jetojnë prindërit e djalit, është kërkuar firma për kujdestari të përkohshme, në mënyrë që të bëhej transferimi i tij drejt institucioneve të përkujdesit social. Dje vogëlushi me urdhër nga komisioni i nevojave sociale, është transferuar në mjediset e shtëpisë së foshnjës në Vlorë. Drejtoresha e institucionit, Olta Ganaj, pohon se djali është mirë, madje është shoqërizuar menjëherë me moshatarë të tij. Nesër priten të kryhet dorëzimi dhe i dokumentacioneve të tij. Aktualisht prindërit e divorcuar, i ati në Greqi dhe nëna në Sevaster të Vlorës nuk kanë kërkuar të marrin vogëlushin. Edhe pse mungesa e prindërve biologjikë përbën shqetësim për rritjen normale të vogëlushit, "strehëza" më e re i jep fund historisë së dhimbshme të jetesës së tij të deritanishme, por edhe izolimit në një nga krevatet me hekura të spitalit.
Historia e Adit të vogël, njihet mirë në ambientet e pediatrisë së Vlorës. E ëma e tij Eljona Tahiri jeton te prindërit e saj në Golimbas të Sevasterit, qysh pas divorcit të saj. I ati, Gazmiri nga Koculi ndodhet emigrant në Greqi. Asnjë prej prindërve nuk pranon të ketë marrë përsipër kujdestarinë e fëmijës. Siç mësohet, gjyqi ka përcaktuar thjesht divorcin, por jo të jetë shprehur për fëmijën. I ati i 22-vjeçares, nënës së fëmijës, nuk pranon të marrë bashkë me vajzën edhe djalin e saj të vogël për shkak të kushteve familjare. Lindur në shkurt të 2006-ës, Ardiani dy muaj më vonë dërgohet në spitalin distrofik nga e ëma, si fëmijë nën peshë. Me mbylljen e këtij spitali, në nëntor të 2006-ës, djali zhvendoset përkohësisht në pediatrinë e Vlorës. Ai është sistemuar në një dhomë të veçantë, me personel gjatë 24 orëve, por tashmë jo një bebe i vogël, nevojat e tij janë rritur, po kaq dhe shqetësimet e personelit në pediatri. Gjatë kohës në spital ai mbahej në një krevat me hekura, lidhur me një fasho të rregulluar rishtaz që të mos rrëzohet, pasi është një fëmijë i shkathët dhe lëviz vazhdimisht. Anila Peçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›