E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat dhe legalizimet greke, tashmë me postë

Ndryshon mënyra e marrjes së përgjigjes për personat që aplikojnë për vizë dhe legalizim në ambasadën greke
TIRANË- Të gjithë pasaportat dhe dokumentet që do të paraqiten në ambasadën greke në Tiranë për legalizim apo për marrjen e vizës nuk do të kthehen më nga zyra konsullore. Shërbimi i ri i Ambasadës Greke parashikon që përgjigjet tashmë do të vijnë me një nga dy kompanitë postare të zgjedhura prej saj. Ky vendim hyn në fuqi më datë 28 janar, pas tre ditësh. Deri më tani kthimi i dokumenteve bëhej nga zyra konsullore greke.
Ambasada Greke në Tiranë ka njoftuar dje zyrtarisht ndryshimin e mënyrës së kthimit të aplikimeve që bëjnë shtetasit shqiptarë për pajisjen me viza apo legalizim dokumentesh. "Njoftohet se duke filluar nga data 28 Janar 2008 pasaportat dhe dokumentet që do të paraqiten për marrjen e vizës apo për legalizim, nuk do të kthehen me nga Zyra Konsullore por vetëm përmes njërës prej dy kompanive postare (courier), domethënë ose përmes TNT, ose përmes Courier Ekspres",- thuhej në njoftimin zyrtar të bërë publik dje nga ambasada greke. Në të sqarohet se veçanërisht për legalizimin e dokumenteve, të interesuarit kur të paraqiten në Zyrën Konsullore duhet që të kenë përzgjedhur dhe të kenë plotësuar formularin e një prej dy kompanive të mësipërme për kthimin e dokumenteve tek vendbanimi i tyre. Për të "lehtësuar" dhe përshpejtuar shërbimin ambasada ka përcaktuar edhe përfaqësuesit e kompanive postare që do të vendosen në mjediset e brendshme të saj. Sipas njoftimit për shtyp: "për personat që kërkojnë vizë, përfaqësues të kompanive do të gjenden brenda Zyrës Konsullore me qëllim për tu shërbyer atyre". Ky shërbim do të hyjë në fuqi pas tre ditësh dhe synon që të shmangë radhët e gjata në dyert e ambasadës dhe zyrës konsullore greke në kryeqytet.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›