Skafi drejt Italisë, pranga katër organizatorëve
Prokuroria për Krimet e Rënda ka identifikuar e arrestuar dje organizatorët e trafikut ta klandestinëve me Italinë
Hetuesit: Të arrestuarit kanë gjashtë muaj që dërgojnë klandestinë në rrugë detare dhe tokësore
LEZHË- Arrestohen me urdhër të Prokurorisë për Krimet e Rënda katër organizatorët e trafikut të klandestinëve me skafin e bllokuar dy javë më parë nga policia në bregdetin e Lezhës. Hetimi i organit të akuzës ka zbuluar të gjitha detajet e këtij trafiku duke arritur deri tek emrat e të arrestuarve të djeshëm. Ata janë Ardian Çorri, 37 vjeç, Gëzim Tafaj, 39 vjeç, Aleksandër Malaj, 34 vjeç dhe Rexhep Cuku, 48 vjeç. Ky grupim kishte muaj të tërë që organizonte dhe niste grupe të ndryshme klandestinësh në drejtim të Italisë. Madje rasti më i fundit ka qenë pesë ditë më parë kur këta persona kanë nisur një grup për në Itali duke ndjekur rrugën tokësore nëpërmjet ish- vendeve jugosllave deri në veri të gadishullit Apenin.
Hetimi
Burime nga grupi hetimor i çështjes pohuan dje se hetimi për këtë grup të strukturuar kriminal ka nisur në gusht të vitit të kaluar. Policia kishte arritur që të kapte disa grupe klandestinësh dhe të gjithë të dhënat bashkoheshin në një vend, bëhej fjalë për të njëjtët organizatorë. Hetuesit e krimeve të rënda arritën që të evidentonin edhe emrat e katër organizatorëve të trafikut, të cilët u vunë në ndjekje dhe përgjim konstant. Të dyshuarit banonin në Tiranë dhe Malësinë e Madhe por kishin sekserë të shpërndarë pothuajse në të gjitha rrethet e vendit. Përgjimet kanë treguar se të paktën në pesë raste ky grupim ka nisur klandestinë në drejtim të Italisë. Hetuesit shpjeguan se klandestinët rekrutoheshin në qytete të ndryshme të vendit dhe më pas niseshin në rrugë tokësore duke kaluar në itinerarin tokësor Shqipëri - Mali i Zi - Kroaci - Slloveni – Itali. Grupi kishte si bazë qytetin e Udines nga ku klandestinët shpërndaheshin në të gjithë Italinë. Hetuesit pohuan dje se deri tani janë dokumentuar më së miri pesë raste të ndryshme të trafikut të klandetinëve. "Si rezultat i një hetimi të suksesshëm, me përdorim të metodave speciale të hetimit, është bërë e mundur që për periudhën e kohës gusht 2007- janar 2008, të ndërpritet aktiviteti kriminal i tyre në pesëraste, konkretisht në datat 18.10.2007, 06.11.2007, 06.12.2007, 10.01.2008 dhe 19.01.2008",- thanë dje burimet zyrtare të policisë.
Arrestimet
Në këto raste policia ka arritur që të prangosë tetë persona e konkretisht shtetasit Ndue Nicaj, Gramoz Tafaj, Ardian Marku (Gjeloshi), Altin Gjeloshi, Ndrek Preçi, Paulin Marku, Pjeter Tusha dhe Bisho Hotaj. Por gjatë kësaj kohe asnjë nga të arrestuarit nuk ka pasur dijeni se bënte pjesë në hetimin e një grupi të madh trafiku klandestinësh. Prokuroria ka marrë në pyetje secilin prej tyre dhe ka pritur grumbullimin e provave për organizatorët e trafikut. Goditja më e madhe ndaj këtij grupimi u bë dy javë më parë kur të arrestuarit e djeshëm tentuan të nisnin drejt Italisë 33 persona me skaf. Bllokimi i skafit si dhe arrestimi i të gjithë bashkëpunëtorëve të tyre ka ngushtuar ndjeshëm rrethin për katër organizatorët. Kështu mëngjesin e djeshëm prokurorët i kanë dorëzuar policisë urdhër-arrestet që duhet të ekzekutoheshinnë Tiranë dhe Malësinë e Madhe. Operacioni është koduar me emrin "Klandestini" dhe ka përfunduar me sukses për policinë kur katër organizatorët e grupit kanë rënë në pranga. Mbi ta tashmë rëndojnë akuzat e dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufirit në formën e grupit të strukturuar kriminal, parashikuar nga nenet 298/3 dhe 333/a të Kodit Penal.