Transballkanikja, një banore në grevë urie
Shkak vlera e shpronësimit të shtëpive. Flora Cekodhima, 45-vjeçare, që dje në grevë urie
Vlorë- Banorë të rrugës Transballkanike pritet t'u rikthehen protestave në lidhje me procedurat në vijim për shpronësimet. Pasi kanë fituar të drejtën e rishikimit të shpronësimeve, në një grevë urie të disa muajve më parë, banorët ende nuk e shohin të zgjidhur problemin e shpronësimit të tyre. Sipas disa prej banorëve ata tashmë vijojnë të sorollaten zyrave ku u janë kërkuar dokumentacione shtesë, të cilat ata i quajnë thjesht burokracira e zvarritje. Një përfaqësi banorësh është mbledhur dje para prefekturës së qarkut për të protestuar. Sipas tyre, ata i janë drejtuar dhe më parë prefektit Rexhepaj në kërkim të një zgjidhjeje përfundimtare, por ende nuk kanë zgjidhur asnjë gjë. "Kjo çështje na është kthyer në një makth»- thotë një nga banoret. Sipas saj, shtëpitë janë të tyret dhe megjithëkëtë i kanë dalë probleme pa fund. Një nga banoret, 45-vjeçarja Flora Cekodhima, tashmë i është rikthyer grevës së urisë, duke vlerësuar formën ekstreme, si të vetmen për t'i shpëtuar shqetësimit për shpronësimet, formë kjo që do t'i solidarizohen edhe banore të tjera. Aktualisht vlerat e shpronësimeve janë vendosur prej fund nëntorit të vitit të kaluar nga ana e qeverisë. Tashmë në rrugën në fjalë nuk po kryhet asnjë punim, pasi priten prishjet e ndërtesave. Rruga duhej të përfundonte punimet sipas afatit të shpallur në nëntor të vitit të kaluar.