Berat,aksidentohet familja me 4 veta, një vdes
BERAT - Një aksident i rëndë ndodhi mesditën e djeshme në aksin rrugor Berat-Fier në afërsi të fshatit Kutalli. Katër pjesëtarë të një familjeje dolën nga rruga me mjetin e tyre, njëri prej të cilëve gjeti vdekjen, ndërsa tre të tjerë ndodhen në spital në gjendje të rëndë. Sipas policisë, mjeti me targa të Durrësit DR 5548 E, në të cilin udhëtonte familja Ahmetaj, nga qyteti i Ballshit u aksidentua rëndë, pasi makina me të cilën po udhëtonin doli nga rruga duke u përplasur me një mur rrethues. Mësohet se në mjet ndodheshin Sherif Ahmetaj, 75 vjeç, bashkëshortja e tij Amide Ahmetaj, 70 vjeçe, djali i tyre Dashnor Ahmetaj, 41 vjeç dhe bashkëshortja e këtij të fundit, Donika Ahmetaj. Si pasojë e këtij aksidenti, i vdekur në vend ka mbetur kryefamiljari, Sherif Ahmetaj, ndërsa tre të tjerët kanë pësuar plagë të rënda. “Mjeti që drejtohej nga 41-vjeçari, si rezultat i shpejtësisë ka dalë nga rruga duke u përplasur me një mur rrethues”, bëri të ditur policia. Të plagosurit mbërritën në spitalin e Beratit ku morën ndihmën e parë shëndetësore, nga ku më pas ata u nisën për ndihmë më të specializuar në Spitalin Ushtarak në Tiranë. Në vendin e ngjarjes mbërriti edhe një grup hetimi, të cilët bashkë me ekspertët e qarkullimit dolën në konkluzionin paraprak se ngjarja kishte ndodhur si pasojë e shpejtësisë. Mësohet se viktimat ishin nisur për një vizitë te disa të afërm të tyre në qytetin e Beratit. d.xh