E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korrupsioni, gjyqtarët pa imunitet

 

Trazhgim Sokolaj
Sekretari i Përgjithshëm i Shoqatës së Prokurorëve, Shkëlqim Hajdari, thotë në një intervistë për gazetën “Panorama” se Prokuroria duhet t’i hetojë pa pengesa gjyqtarët për vepra penale që kanë të bëjnë me korrupsionin.
Pak ditë pasi Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, deklaroi se hetimi ndaj gjyqtarëve është i pamundur për shkak të imunitetit që ata kanë, Hajdari, njëkohësisht kryeprokuror i Apelit të Tiranës, pohon se është koha që Prokurorisë t’i krijohet mundësia të kryejë veprime hetimore ndaj gjyqtarëve dhe në momentin e ngritjes së akuzës, pas grumbullimit të provave, t’i kërkojë autorizim Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Duke folur për luftën ndaj fenomenit të korrupsionit në gjyqësor, Hajdari sjell shembullin e Estonisë, e cila me rritjen e pagave për gjyqtarët dhe prokurorët uli me 50-60 për qind korrupsionin në gjyqësor. Shkëlqim Hajdari është kryeprokuror i Apelit, ai është angazhuar në debatin publik mbi ndryshimet në ligjin e Prokurorisë dhe “pastërtisë së figurave”, ndërsa së fundi ka mbrojtur një master me temën “Tutela e Konventave Ndërkombëtare mbi legjislacionin penal shqiptar”.
Disa ditë më parë Prokurorja e Përgjithshme tha se ka ardhur koha e kufizimit të imunitetit të gjyqtarëve kundrejt hetimeve për korrupsion. Një apel i tillë u bë në konferencën ndërkombëtare “Sistemi Shqiptar i Drejtësisë drejt Standardeve Europiane”. Ju si mendoni për këtë nismë, e cila u mbështet nga ambasadorët e SHBA dhe Britanisë, të cilët u shprehën se imuniteti nuk duhet të jetë strehë për zyrtarët e dyshuar?
Siç jeni në dijeni në punimet e kësaj konference nga relatorë të ndryshëm shqiptarë dhe të huaj janë ngritur disa probleme në lidhje me sistemin e drejtësisë, të cilat kërkojnë zgjidhje. Një nga këto probleme është edhe pozicioni i posaçëm i gjyqtarëve në raport me procedimet penale të iniciuara ndaj tyre. Unë mendoj se të gjithë njerëzit që kanë imunitet (për shkak të funksioneve që ata kryejnë), përfshi edhe gjyqtarët, duhet të hetohen për vepra penale që kanë të bëjnë me fenomenin e korrupsionit.
Mendoj se jemi në një stad të tillë kur prokurorët dhe gjyqtarët duhet të hetohen si shtetasit e tjerë për veprat penale të korrupsionit, por njëherësh gjyqtarit duhet t’i njihet njëfarë imuniteti.
Ju thoni se gjyqtarit duhet t’i njihet njëfarë imuniteti, por nga ana tjetër thoni se nuk duhet të ketë pengesa për hetimin e tyre për korrupsion, si mund të realizohet kjo, a ka këtu një kontradiktë?
Mendoj se Prokuroria duhet të ketë mundësinë të hetojë një gjyqtar për vepra penale që lidhen me funksionin e tij (korrupsioni për shembull). Hetimi i Prokurorisë duhet të jetë i pakushtëzuar deri në momentin e ngritjes së akuzës ndaj gjyqtarit që hetohet. Pra, Prokuroria të jetë e lirë të pyesë dëshmitarë, të bëjë ekspertime, të përgjojë të dyshuarit, të bëjë sekuestrime dhe të tjera veprime hetimore. Nëse në përfundim të këtyre veprimeve krijohen dyshime të bazuara se ndaj x gjyqtari duhet ngritur akuzë, në këtë kohë t’i kërkohet autorizim KLD-së për të marrë leje për veprimet e mëtejshme. Pra këtu duhet të fillojë imuniteti i gjyqtarit. Gjyqtari nuk mund të ndalohet, arrestohet dhe t’i ngrihet akuzë pa autorizimin e KLD-së, por Prokuroria duhet të jetë e lirë të hetojë pa marrë leje, sepse në momentin e kërkimit të lejes në gjykatë, për shembull për një përgjim, hetimi dekonspirohet. Ligji aktual thotë se gjyqtari as mund të hetohet pa marrë leje nga KLD-ja.
Duket se këtu është vendi për një ndryshim ligjor, i cili kërkon një iniciativë për ndryshime në Kodin e Procedurës Penale, etj...
Unë kam bindjen se shumica e gjyqtarëve e mirëkuptojnë këtë situatë, pasi brenda sistemit, shumica e gjyqtarëve punojnë për të dhënë drejtësi. Besoj se vetë komuniteti i gjyqtarëve do ta kërkojë një gjë të tillë, pasi kjo do të rrisë besimin e publikut nëse vetë ata bëhen promotorë të këtij ndryshimi historik në sistemin e drejtësisë. Ju duhet ta dini se në vitin 2008, misionet EURALIUS nga BE dhe OPDAT nga SHBA, paraqitën në Ministrinë e Drejtësisë një rekomandim në të cilin evidentohet fakti se ka ardhur koha për një kufizim të imunitetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve në kudër të rritjes së transparencës dhe luftës kundër korrupsionit brenda sistemit.   
Ju ishit i pranishëm në konferencën e pak ditëve më parë, Transparency International paraqiti aty përvojat e disa shteteve për pagat e prokurorëve e gjyqtarëve dhe ndikimin që ato kanë në fenomenin e korrupsionit, ku konsistojnë këto studime?
Në lidhje me këtë pikë u sollën shembuj të Letonisë dhe Estonisë. Në këto dy vende rritja e transparencës dhe rritja e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve kanë ulur ndjeshëm korrupsionin.
Konkretisht Transparency International ka monitoruar se në Estoni në vitin 2002 pagat e gjyqtarëve e prokurorëve të Shkallës së Parë kanë qenë 1 mijë euro. Në vitin 2008 pagat e tyre janë rritur në nivelin 2600 euro dhe nga studimi del se korrupsioni ka rënë me 50-60 për qind. Të njëjtin studim TIA me qendër në Gjermani ka bërë edhe për Shqipërinë, ku sipas saj, referuar standardit të jetesës dhe një sërë faktorësh të tjerë, paga minimale për një prokuror ose gjyqtar të Shkallës së Parë duhet të jetë 1522 euro. Llogaritet që kjo të ketë të njëjtin efekt si në rastin e Estonisë edhe në vendin tonë në lidhje me rënien e korrupsionit.
Sipas këtij studimi, duket se prokurorët dhe gjyqtarët e Shkallës së Parë duhet të marrin një pagë, e cila mesa duket kalon pagën mujore të Presidentit apo Kryeministrit, a ka diçka që nuk shkon këtu?
Në pamje të parë duket kështu, por unë iu referova studimeve ndërkombëtare për këtë kategori (gjyqtarët dhe prokurorët). Nuk do të kishte sens që një prokuror apo gjyqtar të kishte një pagë më të lartë se Presidenti apo Kryeministri, por nisur nga kjo logjikë është mëse normale që edhe pagat e drejtuesve të shtetit t’i afrohen nivelit të homologëve të tyre të vendeve të BE-së.    
 
Ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers, tha pak ditë më parë në lidhje me imunitetin: I referohem specifikisht dispozitave kushtetuese në Shqipëri që japin imunitet kundrejt ndjekjes penale për deputetët, gjykatësit, dhe zyrtarë të tjerë të lartë qeveritarë. Ato dispozita u miratuan në fazat e para të zhvillimit demokratik në Shqipëri. Megjithatë, Shqipëria ka ecur përpara dhe tani duhet të vendosë drejtpeshim midis kësaj mbrojtjeje nga një anë dhe nevojës absolute nga ana tjetër për të bërë që zyrtarë të lartë të korruptuar apo me përgjegjësi të tjera penale të japin llogari për veprimet e tyre. Imuniteti nuk duhet të ofrojë strehë për ata që përballen me përgjegjësi penale në gjykata.

Ambasadorja e Britanisë së Madhe në Tiranë, Fiona McIlwham, tha pak ditë më par në lidhje me imunitetin: “Prokurorja e Përgjithshme, Ina Rama, foli në lidhje me imunitetin e gjyqtarëve, dhe është ankuar se këto dispozita në mënyrë efektive e bëjnë të pamundur për të hetuar një gjyqtar për korrupsion. Ky është një problem dhe ky është një problem që nuk ndikon vetëm gjyqësorin. Imuniteti ekziston për të mbrojtur institucionet dhe vlerat që ato përfaqësojnë dhe jo individët në vetvete. Askush nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ata që nuk kanë se çfarë të fshehin nuk duhet të kenë frikë, por ne duhet të punojmë për të forcuar ndjenjën e përgjegjësisë në institucionet publike në Shqipëri”.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›