Shkrumbohet kompleksi turistik në Shëngjin, dyshohet energjia
LEZHE - Shkëndija elektrike shkrumboi dy hotele të një kompleksi në Shëngjin. Ngjarja ndodhi rreth orës 21:10 të së premtes, ndërsa flakët u lokalizuan vetëm në mëngjesin e djeshëm. Kompleksi “Inxheritor” e “Curri”, në pronësi të Anxheli Fushës e Pashk Currit përbëhej nga dy kulla të njohura me emrin “Keo” që shërbenin si hotele. Fatmirësisht në momentin e ngjarjes nuk ka patur klientë në asnjërin prej hoteleve, çka përfundoi vetëm me dëme të rënda materiale. Pronarët e objekteve të djegura raportuan për rreth 2 milionë euro dëme. Ndonëse të alarmuar nga ngjarja, duket se sigurimi i objekteve të tyre pranë kompanive përkatëse të sigurimeve i ka qetësuar disi të dy pronarët, të cilët presin tashmë të kompensohen nga dëmi i shkaktuar. “M’u dogj djersa dhe mundi i gjithë jetës”, u shpreh dje Pashk Curri. Në vendin e ngjarjes mbërritën në kohë rekord zjarrfikëset e Lezhës, por më pas edhe të tjera të nisura nga Tirana. Por gjithçka është shkrumbuar e favorizuar jo vetëm nga era, por edhe shumica e orendive prej druri. Ndërkohë, zjarrfikësit kanë rrezikuar jetën e tyre teksa kanë luftuar me flakët, duke mbajtur nën kontroll gjatë gjithë natës dy cisterna me 1 mijë litra secila gazi. Në rast të shpërthimit të tyre ngjarja mund të kthehej në një katastrofë. Sipas dëshmitarëve, shkëndija e parë nisi tek “Inxheritor” dhe më pas edhe te kompleksi “Curri”. “Banorët dhe rojet pohuan se dje ka patur mbi 18 herë lëkundje tensioni”, u shpreh Curri duke pohuar se ai kishte dyshime se ngjarja ishte për shkak të energjisë. Sipas tij, aty flinin çdo natë katër djemtë e tij, por për fat të mirë asnjëri prej tyre nuk është ndodhur brenda në momentin e zjarrit. Policia ka nisur hetimet ku nuk përjashton edhe pistën e zjarrit të qëllimshëm. r.n