Karaxhiç: “Haga të gjejë prova për imunitetin e premtuar”
Ish-lideri i serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç planifikon të kërkojë nga Gjykata e Hagës që të hedhë poshtë akuzat kundër tij, pasi, siç prentendon, i është premtuar imuniteti. Nëpërmjet një mocioni që u dorëzua, Karaxhiç i kërkoi Gjykatës për Krime të Luftës në ish-Jugosllavi t’i urdhërojë prokurorët që të gjejnë çfarëdo prove materiale të marrëveshjes, të cilën, ai pretendon se e ka bërë me emisarin amerikan Riçard Hollbruk në korrik të vitit 1996. Hollbruk vazhdimisht ka mohuar të ketë bërë ndonjë marrëveshje me Karaxhiçin, i cili përballet me akuzat për genocid.
SHBA
Sondazhi, Obama tre pikë para Mekein
Sonadazhi më i fundit në Shtetet e Bashkuara ka treguar se favoriti kryesor i zgjedhjeve presidenciale që do të zhvillohen më 4 nëntor është kandidati demokrat Barak Obama. Megjithatë kandidati republikan Xhon Mekein në këtë sondazh ka vetëm 3 pikë më pak se rivali i tij. Rezultatet e sondazhit të bëra në Reuters/C-Span/Zogby u shpërndanë dje dhe Obama kryeson me 48 për qind të votave, ndërsa Mekein me 45 për qind. Ky është sondazhi i parë që kandidati republikan për Shtëpinë e Bardhë është fare pranë atij demokrat.
PAKISTAN
Dëbohen refugjatët afganë nga rajoni kufitar
Pakistani ka filluar të dëbojë refugjatët afganë nga një rajon fisnor, që është bërë arenë luftimesh mes trupave dhe luftëtarëve të lidhur me talebanët dhe Al Kaedën. Administratori qeveritar i rajonit tha se autoritetet besojnë se disa kanë lidhje me grupet militante. Pakistani gjendet nën presion nga SHBA-të që të bëjë më shumë për të shpartalluar militantët në rajonet fisnore. Ofensiva qeveritare në Baxhuar filloi në gusht dhe deri tani ka lënë të vdekur rreth një mijë njerëz.
AZI
Fillojnë të stabilizohen çmimet e aksioneve
Çmimet e aksioneve në Azi po tregojnë shenja stabilizimi pas shitjeve masive në tregjet globale. Në Tokio indeksi Nikej e rimori veten pas një rënie prej pesë përqindësh në momentin e hapjes së bursës, ndërkohë që tregjet janë kryesisht në gjendje pozitive në pjesë të tjera të kontinentit. Australia ka shkurtuar normën e interesit me një për qind në kushtet e një alarmi të vazhdueshëm, lidhur me qëndrueshmërinë e sistemit financiar. Aksionet në Nju Jork, Londër, Paris pësuan rënie gjatë ditës.
IZRAEL
Negociata për krijimin e shtetit palestinez
Udhëheqësja e re e partisë në pushtet të Izraelit, Tzipi Livni, është betuar se do të vazhdojë bisedimet e paqes me palestinezët, ndërsa nuk do të ndalojë përballjen me Iranin. Në fjalim e saj të parë për drejtimin politik të vendit, që kur emërua për të formuar qeverinë e re, ajo tha se mbetet e angazhuar në negociatat për krijimin e shtetit palestinez. Ndërkaq, kryeminstri aktual, Ehud Olmert, tha se ai do t’i bëjë thirrje Rusisë të mos u shesë armë armiqve të Izraelit.
8 Tetor 2008