E Diel, 1 Nëntor 2026

Panairi i librit në Ulqin, Qosja përcjell vlerësimet e tij

Autori i Lajmit: red.
Akademiku Rexhep Qosja vlerësoi të shtunën në mbrëmje Panairin e Librit Shqip në Ulqin, duke e cilësuar atë një hap të rëndësishëm në konsolidimin e hapësirës kulturore mbarëshqiptare dhe si një hap të rëndësishëm për integrimin e shqiptarëve të cilët jetojnë veç Shqipërisë, në tre shtete të ndryshme në Gadishullin Ballkanik. Në një takim të organizuar me botues, pjesëmarrës në Panairin e Tetë të Librit Shqip, njerëz të njohur të jetës kulturore të qytetit të shtrirë buzë Adriatikut, që jetohet nga shumica shqiptarë, Qosja, një personalitet i njohur i kulturës, letërsisë, publicistikës dhe mendimit filozofik cilësoi se si Ulqini (Mali i Zi), ashtu dhe Tetova (Maqedoni), Prishtina (Kosovë) dhe Tirana (Shqipëri) po bëhen gjithnjë e më shumë qëndra që i shërbejnë zhvillimit shpirtëror të shqiptarëve. I lindur në Vuthaj të Malit të Zi, Qosja, 72 vjeç, i cili ka punuar për shumë vite si Drejtor i Institutit të Albanologjisë në Prishtinë vlerësoi ndryshimet që janë bërë në qytetin e Ulqinit. “Ulqinin nuk e duan vetëm qytetarët e tij, por edhe ata që duan kulturën dhe lashtësinë e tij, e duan të gjithë ata që kalojnë pushimet në këtë qytet“, tha ai pa harruar të nënvizojë se “ky panair libri që organizohet në këtë qytet duhet ta vazhdojë këtë traditë“. ”Ata që e vizitojnë rrallë një vend, vënë re edhe ndryshimet e tij”, tha ai duke shtuar se e kishte vizituar qytetin, që konsiderohet si ndër më të lashtët në pellgun e Adriatikut, 25 vite të shkuara, më pas në vitin 1993 dhe në vitin 2003. Rexhep Qosja, i cilësuar për një vepër krijuese dhe njerëzore, me një gravitet të rëndë sidomos në fushën e historisë, letërsisë dhe të mendimit shoqëror e filozofik shqiptar, tha se tashmë Kosova është shtet i pavarur dhe se herët a vonë edhe ato shtete që ende nuk e kanë njohur do të dinë ta njohin. “Edhe Mali i Zi pritet ta njohë shumë shpejt Kosovën si shtet më vete”, tha Qosja duke iu përgjigur pyetjes së një gazetareje. “Shqiptarët duhet të vazhojnë të punojnë për të plotësuar aspiratat e veta”, cilësoi Qosja duke pohuar se në karrierën e tij “çështjen e shqiptarëve në Ballkan e ka parë në tërësi” dhe se “shpallja e Kosovës si shtet me vete e ka zbutur shumë këtë çështje që ka mbartur me kohë shumë probleme të mprehta sociale”. Ai kujtoi edhe njëherë për të pranishmit se sa vështirë kishte qënë vite më parë qarkullimi i librit shqip në të gjitha trojet ku banojnë shqiptarë, duke sjellë në vëmendje vitin 1969, kur ai për herë rë parë vizitoi Shqipërinë. “Librat dhe gazetat që mora në Tiranë, munda t i kalojë nga Mali i Zi, sepse nga Maqedonia as që bëhej fjalë”, cilësoi Qosja. Me një vepër voluminoze dhe me një fuqi analizuese dhe sintetizuese të rrallë, akademiku i njohur nënvizoi faktin se historia e letërsisë shqipe nuk mund të rishkruhet, por se ”ajo vetëm mund të pasurohet, korrigjohet, duke u nisur nga trungu amë". “Unë kam shkruar historinë e Rilindjes, por për të kam shfrytëzuar përvojën e të parëve”, tha Qosja i cili me veprën e tij vazhdon të japë një kontribut për pedagogët, studentët dhe të gjithë njerëzit e kulturës dhe letërsisë. Nga veprat shkencore të Prof. Qoses përmendim veprat "Porosia e Madhe", kushtuar poetit tonë kombëtar Naim Frashëri, "Dialogë me shkrimtarët", në vitin 1968, "Antologjia e Lirikës Shqipe", 1970, "Kontinuitete", 1972, "Shkrimtarë dhe periudha", 1975, "Anatomia e kulturës", 1976, "Mite të zhveshura", 1978, "Prej tipologjisë deri te Periodizimi", 1979 etj. Në fushën e krijimtarisë së mirëfilltë letrare shquhet romani "Vdekja më vjen prej syve të tillë", i përkthyer në disa gjuhë të huaja dhe i vlerësuar nga kritika vendase dhe ajo evropiane për parabolën e fuqishme ideore që mishëron dhe për strukturën moderne me të cilën përcillen kumtet ideore. E gjerë dhe e pasur në koncepte dhe vizione të guximshme në analiza e gjykime është dhe vepra e tij publicistike, memorialistike dhe studimore që rrok historinë shqiptare si, "Populli i ndaluar", 1990, "Strategjia e bashkimit", 1992, "Çështja shqiptare-historia dhe politika", 1994, "Ligjërime paravajtëse", 1996, "Fjalor demokratik", 1997, "Paqja e përgjakshme", 1999, "Tronditja e shekullit", 2001 etj. Në këto vepra është mëshiruar pararoja e mendimit modern shqiptar, vizionet e intelektualit të emancipuar, prirjet e reja mendore dhe shpirtërore jo vetem të një shtrese sociale, por edhe ato që duhet të bëhen pronë e subjektit shqiptar si njësi kulturore kombëtare. Akademiku Rexhep Qose, gjatë shumë viteve, sublimoi pjesë nga shpirti dhe ndërgjegjia e tij për lirinë e prosperitetin e vendit të tij. Do të mbetet në kujtesën kombëtare Rambujeja dhe protagonistët e saj, midis të cilëve spikati portreti i Rexhep Qoses. Vepra e akademikut i përngjan një Dhjate për nga forca e ndikimit mbi njerëzit, për nga jetëgjatësia, për nga humanzmi, për nga vizionet universale qe ajo mbart. Një pjesë e madhe e veprës së Profesor Rexhep Qoses është botuar nga shtëpia botuese e librit "Toena", qe siç dihet ka edhe ekskluzivitetin e botimit te veprës së profesorit në Shqipëri. Botuesi i njohur Fatmir Toçi bëri me dije se “shumë shpejt Toena do të botojë mbi 42 veprat e shkruara nga Qosja, në të paktën 30 vëllime”, duk konfirmuar faktin se “veprat e botuara të Rexhep Qoses tashmë e kanë arritur suksesin e tyre, në të gjithë tregun e librit shqip”.
Ky lajm është publikuar: 28/07/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›