E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Beratinus”,historia e Kodikëve në dokumentar

 

Alma Mile

Ata i konsideronin si thesari i qytetit. Atje ishte fjala e Perëndisë, e gdhendur me germa të arta. Kishin kaluar dorë më dorë e ishin fshehur në skuta të errëta, që askush të mos i gjente. Ishin përdorur të gjitha mënyrat për t’i shtënë në dorë, që nga lajkat, tek dhuna. Serbë, austriakë, italianë e gjermanë i kishin kërkuar. Shaban Sinani, Tomë Therçaj dhe Ylli Pepo vendosën t’i japin jetë kësaj historie. Nuk është thjesht histori kishtare, por më e thellë, shpirtërore, amaneti. “Beratinus” titullohet dokumentari, i cili u shfaq mbrëmë në kinema “Imperial”, dedikuar Kodikëve të Beratit, një pasuri jo vetëm kombëtare, por e shpallur zyrtarisht si pjesë e “Kujtesës Botërore” nga UNESCO. Një prodhim i shtëpisë kinematografike “Art Studio Grishaj”, financuar nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë me një fond prej 1,56 milionë lekësh. Për një nga skenaristët, studiuesin Shaban Sinani, historia e Kodikëve të Beratit ka qenë gjithnjë grishëse. Kjo e ka shtyrë të bëhet një nga studiuesit e këtyre kodikëve. Dhe dëshira që njohuritë e tij t’ua tregonte edhe të tjerët e shtynë të bashkëpunonte me gazetarin Tomë Therçaj e regjisorin Ylli Pepo për ta kthyer atë në një film dokumentar. Përveç faktit që Kodikët e Beratit, ai i Purpurt dhe Anthimi, janë të një vlere të padiskutueshme, për nga koha së cilës i takojnë, mënyra si janë ndërtuar me mjeshtëri, ata kanë edhe një histori interesante. Është pikërisht kjo histori që e mban në këmbë dokumentarin. E gjitha e ndërtuar me një tis mistik, me muzikë kishtare në sfond, pamje ikonash, qirinjsh, ambientesh të errëta e rrugësh me kalldrëm. Një histori gjysmë mit dhe gjysmë e vërtetë, që e ka zanafillën shumë shekuj më parë, por që bëhet më intriguese në shek. XIV në kohën e djegies së Beratit nga Car Uroshi i Serbisë. Thuhet se në atë kohë, kodikët u futën nëpër thasë e i fshehën, që të mos grabiteshin. Në gjendje “klandestine”, kodikët, që mendohen se datojnë në shek. VI, kaluan shekull pas shekulli, deri në Luftën e Parë Botërore, kur thuhet se u përdorën të gjitha mënyrat për t’i gjetur. Por duket se ata libra të shenjtë ishin tepër të shtrenjtë për t’u shitur, me çfarëdo lloj çmimi. “Kodiku i Purpurt i Beratit” dhe “Kodiku i Artë i Anthimit” ishin dy prej veprave që u futën në listat e objekteve të shpallura “në kërkim” në periudhën e Luftës së Dytë Botërore. Kleri, këshilli kishtar (sinodi), patriarkët dhe populli besimtar i Beratit, të cilëve iu kërkua dorëzimi i menjëhershëm i dy kodikëve, nuk pranuan sërish. Thuhet se i fshehën në grykën e një pusi, në një arkë metalike. Për një kohë, në vitet që pasuan, “Beratinus-1” dhe “Beratinus-2” konsideroheshin të zhdukur. U rizbuluan në kishën e kalasë së qytetit në vitin 1968, në një gjendje tejet të dëmtuar.
Në vitin 1971, në bazë të një marrëveshjeje ndërshtetërore, “Codex Purpureus Beratinus” u dërgua për restaurim pranë Institutit Arkeologjik të Kinës, ku u realizua një riprodhim identik, plotësisht i shfrytëzueshëm për studime. Vete origjinali u restaurua, duke siguruar tejkalimin e gjendjes kritike dhe duke premtuar jetëgjatësi, përmes teknikës së mbylljes hermetike të fletëve një nga një ndërmjet dy xhamave në boshllëk. Mbas restaurimit, “Beratinus-1” u nda në nëntë vëllime, të cilat ruhen pranë Arkivit Qendror të Shtetit në Tiranë. Përpos zërit të folësit, kjo histori kërkimesh e mbijetese të këtyre librave të rrallë, që numërohen vetëm 2 në 7 syresh, që gjenden anë e kënd botës, erdhi edhe përmes të dhënave që sollën specialistë të fushës, si Aleksandër Meksi, Pëllumb Xhufi, Neritan Ceka, si dhe Shaban Sinani, që është marrë për një kohë të gjatë me këtë histori dhe ka botuar edhe një libër studimor të titulluar “Beratinus”.

Kodiku
“Kodiku i Purpurt i Beratit” renditet në themelet e letërsisë kishtare të ritit lindor. “Kodiku i Purpurt i Beratit” ka 190 fletë dhe përmban dy ungjij: Ungjilli sipas Markut dhe sipas Mateut. Sfondi mbi të cilin janë derdhur germat është e kuqe e thellë (e purpurt), prej nga ka marrë edhe emrin. Ngjyra, me kalimin e shekujve, është zbehur. Disa pjesë të rëndësishme të tekstit të kodikut janë të derdhura në ar. Germat e aplikuara janë kapitale të vogla. Kapaku i dorëshkrimit është metalik, me zbukurime biblike, por duhet të jetë disa shekuj më i vonshëm se vetë vepra. Teksti i “Codex Purpureus Beratinus” është shkruar në stilin antik scripta-continuae, domethënë pa ndarje të fjalëve nga njëra-tjetra, pa thekse dhe shenja të tjera të veçimit të fjalëve. Ai është vendosur në një sfond që përmban zemra të stilizuara.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›