Tatimet kërcënojnë debitorët: Do t’u sekuestrojmë pronat
FIER/ MAJLINDA RAMA
Drejtoria e Tatim-Taksave në Fier kërcënon subjektet debitore me sekuestrimin e pasurive të tyre, në rast se nuk do të shlyejnë borxhet ndaj këtij institucioni. Kompanitë e naftës, ujësjellësi, dhe mjaft institucione të tjera private e shtetërore, rezultojnë të jenë debitorë të kësaj drejtorie me miliarda lekë. Burime nga kjo drejtori bëjnë të ditur se janë 313 subjekte debitorë ndaj degës së Tatim-Taksave në këtë rreth. Në vitin 2008 dhe përgjatë 2009-ës, debiti i krijuar nga këto subjekte kap vlerëna prej 2.25 miliardë lekë. Ky borxh është krijuar si rezultat i mosshlyerjes së detyrimit të TVSH-së, akcizës, sigurimeve shoqërore dhe të tatimit mbi të ardhurat personale. “Kemi shumë subjekte debitore, kompani nafte, duke filluar me “Albpetrol”-in dhe qendrën e përpunimit të thellë të naftës në Patos, ndërkohë që ujësjellësit e të gjitha njësive vendore janë gjithashtu borxhli kundrejt drejtorisë sonë”, pohon shefja e zyrës së borxhit në këtë drejtori, Elona Hada. “Kemi çuar disa herë shkresa zyrtare, po asgjë nuk është bërë prej tyre. Në disa raste, borxhet që i përkasin 2000-2008, nuk na janë pranuar si të tilla. Drejtorët e rinj nuk pranojnë ta paguajnë duke argumentuar se nuk kanë punë me borxhet e para. Ata thjesht na premtojnë se për periudhën që drejtojnë vetë, do të jenë të rregullt. Drejtuesit nuk arrijnë të kuptojnë që institucioni nuk është individ”, pohon Hada. Drejtoria e Tatim-Taksave tashmë ka nisur të zbatojë masat e penalizimeve për subjektet dhe bllokim të llogarive bankare. Ndërsa për subjektet private që nuk i kanë shlyer këto detyrime, do të bëhet evidentimi i pronave dhe pastaj do të kryhet procesi i sekuestrove. Ligji parashikon deri dhe masën ekstreme të ndjekjes penale për ato subjekte që nuk shlyejnë debitin ndaj Tatim-Taksave. “Kemi të drejtë të veprojmë sipas ligjeve në fuqi deri në sekuestrim të pasurive të këtyre institucioneve” u shpreh Hada.