I penduari debat me avokatët gjatë dëshmisë për “masakrën e Cërrikut”
TIRANE – Nën statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, Bujar Buzani, ka drejtuar edhe njëherë gishtin mbi personat që sipas tij janë përgjegjësit e “masakrës së Cërrikut” në vitin 1997.
“Kryetar i bandës ke qenë ti, ka qenë Land Xhepexhiu, ka qenë Meti Bozi”, iu drejtua dje i pandehuri Buzani të pandehurit tjetër Llazar Bicja. Në seancën e djeshme në ngarkim të të akuzuarve për ngjarjen ku humbën jetën 6 gardistë dhe u plagosën disa të tjerë, i pandehuri Buzani iu përgjigj pyetjeve të avokatëve të të pandehurve të tjerë. I veçuar prej tyre nga tre efektivë specialë të policisë, bashkëpunëtori i drejtësisë, pohoi se “e ndjej veten krenar që po tregoj një të vërtetë”. Seanca e djeshme u karakterizua me replika të ashpra mes palëve. Që në fillim të seancës përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve pretenduan se ata nuk kishin dijeni mbi statusin e “bashkëpunëtorit të drejtësisë” për Buzanin. Ndërsa një nga prokurorët e çështjes, prokurori Anton Martini, sqaroi përpara gjykatës se “Bujar Buzani është i pandehur, por është edhe bashkëpunëtor i drejtësisë”. I “pakënaqur” nga gjykata ka qenë edhe i pandehuri Meti Bozi, i cili braktisi sallën e gjyqit teksa gjykata vendosi përfaqësimin e tij nga një avokate e caktuar kryesisht. I njëjti reagim u shfaq edhe tek të pandehurit Alban dhe Arjan Toska kur Buzani filloi të fliste. “Nuk mund të rrimë të dëgjojmë përrallat e këtij ne”, thanë ata njëzëri dhe u larguan nga salla e gjyqit. Duke treguar siguri në ato që thoshte Buzani, risolli edhe njëherë para gjykatës detaje nga ngjarja e rëndë e “masakrës së Cërrikut”. Ai akuzoi Meti Bozin, Rolad Xhepexhiun dhe Llazar Bicjan si organizatorë të pritës ndaj policisë në qendër të qytetit të Cërrikut. I pyetur për njohjen që ka pasur me të pandehurin Bicja, ai pohoi se “unë Llazar Bicajn e kam parë si fytyrë dhe i kam dëgjuar zërin, por nuk kam pasur muhabet me të”. “Nga Llazi mbaj mend që na tha ‘çuna, nuk pret më koha’, kur kanë ardhur të na thërrasin së bashku me Meti Bozin dhe Roland Xhepexhiun tek postblloku, ku unë me vëllezërit dhe kushërinjtë e mi bënim shërbim”, është përgjigjur Buzani. Ndërsa për momentin e zjarrit mbi forcat e rendit, Buzani sqaroi se “kur ndodhi ngjarja unë isha me vëllezërit dhe kushërinjtë në katin e dytë të kinemasë. Pasi ndaloi zjarri unë shkova tek makina ku mora armën. Aty pranë pashë edhe blindin që digjej. Në vazhdim shkova në shtëpi dhe më pas u kthyem sërish në qendër ku bëmë shërbim. Shërbimin e bënim me urdhër të Meti Bozit”. Ngjarja e cilësuar si “masakra e Cërrikut” ka ndodhur mëngjesin e 23 marsit të vitit 1997. Nga prita e armatosur në qendër të qytetit të Cërrikut gjetën vdekjen punonjësit e Gardës Besnik Sula, Halit Haxhia, Bashkim Mnella, Qemal Mehmeti, Sali Martini dhe Petrit Ndoi, ndërsa u plagosën disa punonjës të policisë. ar.ba