Ilir Kumbaro akuzë e re për vjedhje të identitetit
LONDER – Autoritetet shqiptare kanë paraqitur në Gjykatën Penale të Londrës, që shqyrton çështjen e ekstradimit të Ilir Kumbaros, katër prova me të cilat kërkojnë dërgimin e tij me pranga në Tiranë. Provat e depozituara në gjykatë nga prokuroria, konsiderohen të pakundërshtueshme dhe që vërtetojnë se personi që kërkohet të ekstradohet është pikërisht i kërkuari nga drejtësia shqiptare, ish-funksionari i SHIK-ut, Ilir Kumbaro. Mbrojtja dhe vetë i arrestuari për llogari të autoriteteve shqiptare të drejtësisë, i vënë nën akuza të trefishta, mes tyre edhe për rrëmbimin dhe zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha, pretendon se quhet Shaqa Shatri dhe është me origjinë ish-jugosllave. Ndërkohë më parë i njëjti person kishte pretenduar se i përkiste nacionalitetit çek. Gjatë depozitimit të provave u pohua se policia në momentin e arrestimit, në shtëpinë e të dyshuarit është gjetur një leje për drejtim automjeti me emrin Indrit Kumbaro, që sipas dokumenteve të dërguara nga Shqipëria është pikërisht djali i Ilir Kumbaros. Ndërkohë është gjetur edhe një pasaportë ish-jugosllave me emrin Shaqa Shatri, origjina e të cilit ishte kosovare. Pas verifikimeve ka dalë se në Kosovë jeton realisht një person me emrin Shaqa Shatri, çka ka bërë që mbi të arrestuarin të ngrihej edhe akuza e përvetësimit të identitetit. Po kështu ka dalë se në vijim të ndryshimit të identitetit, është verifikuar se edhe vëllai i Ilir Kumbaros, i quajtur Dashamir Kumbaro, është paraqitur pranë autoriteteve britanike për të kërkuar azil me emrin Dashamir Shatri. f.m.