E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berberi: Kukësi ka shanse edhe për vendin e parë

Nga Erion Saliu

Për kuksianët do të ketë një shpërblim të majmë për fitoren e javës që shkoi në transfertë me Vlorën

Skuadra e Kukësit do të marrë një shpërblim të majmë për fitoren 3-1 të së shtunës në Vlorë. Këtë lajm e konfirmojnë burime pranë stafit teknik të Kukësit, që po bën një kampionat shumë të mirë deri tani, edhe pse debutues. Presidenca dhe donatorët kanë mbetur shumë të kënaqur me paraqitjen e ekipit në atë transfertë të vështirë. Veriorët po bindin edhe jashtë fushë së tyre, duke qenë pretendentë seriozë për ngjitjen historike në superligë.

Deri tani, Kukësi ka fituar në fushën e Vlorës dhe të Gramshit, ndërkohë që ka barazuar në Velipojë. Është një ecuri bindëse e ekipit të drejtuar nga trajneri Shahin Berberi, i cili i ka përgëzuar të tijtë për 3 pikët e marra ndaj Vlorës. Ai ka besim se Kukësi do të vazhdojë të paraqitet denjësisht edhe në javët e mbetura të fazës së parë.

Kuksianët synojnë ngjitjen direkt në superligë, pasi tashmë u është hapur oreksi”, madje ka edhe nga ata që mendojnë se mund të shpallen edhe kampionë të kategorisë së parë. Për këtë, drejtuesit do të jenë aktivë edhe në merkaton e janarit.

Berberi “Jam i kënaqur pas fitores në një transfertë vendimtare si ajo me Vlorën. E kishim vlerësuar atë ndeshje dhe në fund ia arritëm qëllimit. Të gjithë lojtarët u treguan heronj dhe vrapuan gjatë gjithë ndeshjes, duke marrë një fitore, që na jep më shumë besim për të synuar vendin e parë.

Megjithatë, për momentin ne duhet që ta mbajmë mendjen te ndeshja e radhës me Himarën, që duhet vlerësuar dhe ne duhet që të vazhdojmë rrugën e fitoreve. Tifozët tanë na kanë mbështetur, madje këtë gjë e bënë edhe në Vlorë javën që shkoi. Ne, si staf, i falënderojmë dhe i ftojmë që të mbështesin më fuqishëm në të ardhmen, –  tha mes të tjerash trajneri i kuksianëve, Shahin Berberi.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›