Çaço: Luftëtari, me temp drejt superiores
Mesfushori beratas, Ervis Çaço, thekson se ekipi i tij është i përgatitur për të fituar në çdo fushë
Është krijuar përshtypja se Luftëtari këtë sezon do të ankorohet në superiore, madje ka plot që thonë se ky është ekip superlige. Një rast i mirë për ta vërtetuar këtë është ndeshja e sotme me Skënderbeun, por të dyja palët, me sa flitet, nuk do të hedhin në betejë formacionet e tyre më të mira, ndaj dhe enigma nuk zgjidhet. Luftëtari erdhi në ndeshjen e 10-të, pasi luajti ndeshjen e javës së 5-të, të prapambeturën me Elbasanin, për të pasur një bollëk pesash.
Por, pas javës së 10-të, i mbetën vetën tre. Pesën e golashënuesve e fshiu mesfushori beratas, Ervis Çaço, i cili realizoi 2 gola dhe u bë golashënuesi i tij i gjashtë. Luftëtari sot luan për Kupën e Shqipërisë me Skënderbeun, por pa pasur në mendje që të pretendojë në këtë kompeticion, sikundër ka ngjitjen në superiore. Pra, është mëse i përqendruar në ndeshjen e radhës si udhëtues në Gramsh, ku do të përpiqet me gjithë energjitë e tij të mos i thyhen armët.
Luftëtari në kësisoj betejash ka 2 fitore, 1 barazim dhe 1 humbje, kurse Gramshi si pritës posedon 3 fitore dhe 1 humbje, pra i dyti është superior me 2 pikë, që nuk flasin dhe aq për një supremaci të tij. Kjo do të thotë se në këtë ndeshje çdo rezultat është i mundshëm, ndërkohë që kjo vlen edhe për rastet, kur që më parë flitet për një fitues të padiskutueshëm.
Çaço Për fitoren e fundit, ku shënoi 2 gola, dhe për sfidën e radhës në Gramsh, mesfushori Ervis Çaço thotë: Ashtu sikundër dihet, është goli që sjell entuziazëm dhe çon peshë stadiumet. Jam i gëzuar që arrita të realizoja dy gola dhe ndikova në fitoren e thellë me Ilirinë, gjë që na përmirësoi ndjeshëm golaverazhin e përgjithshëm. Është e qartë se Gramshi jo vetëm që është më i fortë se Iliria, por na pret në fushën e tij, ku do të luajë pas humbjes në Lezhë.
Pra, Luftëtari ka një ndeshje mjaft të vështirë, por a nuk ishte më e vështirë ndeshja në Kavajë? Dua të them se, në rast se do të luajmë si në ndeshjet me Besën dhe Elbasanin, nuk ka arsye që të kthehemi duarbosh nga Gramshi. Kam bindjen se Luftëtari do të vazhdojë avancimin drejt superligës pa shumë zigzage. Shpresoj se do të shënoj edhe gola të tjerë për këtë ekip.
