E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha - Erdogan: “Faleminderit për investimet turke në Shqipëri”

Autori i Lajmit: red.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, Kryeministri zhvilloi një takim me homologun turk, Rexhep Tajip Erdogan. Të dy kryeministrat vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera që ekzistojnë midis dy qeverive dhe dy vendeve tona. Kryeministri Erdogan i rikonfirmoi edhe një herë kryeministrit Berisha mbështetjen e plotë të Qeverisë turke dhe të vendit të tij për integrimin e plotë të Shqipërisë në NATO. “Po bëjmë përpjekje, - u shpreh ai, - për të inkurajuar investitorët turq të vijnë të investojnë në Shqipëri”. Berisha e njohu Kryeministrin turk me reformat e gjithanshme të Qeverisë shqiptare, duke u ndalur në veçanti në arritjet e rëndësishme për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznesin dhe mbështetjen e tyre përmes projekteve të rëndësishme infrastrukturore, si parqet industriale etj. Kreu i Ekzekutivit falënderoi mikun e tij, Erdogan, për inkurajimin që ai dhe qeveria e tij u kanë bërë investitorëve turq për të ardhur në Shqipëri dhe theksoi se investitorët turq po konfirmohen si shumë të suksesshëm në tregun shqiptar. Ai theksoi gjithashtu se investimet direkte turke kanë shënuar gjatë këtyre viteve të fundit një shifër rekord prej 860 milionë euro nga 135 milionë euro që kanë qenë më 2005. Dy kryeministrat rikonfirmuan gatishmërinë dhe angazhimin e tyre personal, si dhe të qeverive të tyre, për të konsoliduar edhe më tej bashkëpunimin e ngushtë në të gjitha fushat që t i përgjigjet nivelit jashtëzakonisht të lartë të miqësisë tradicionale mes dy popujve. Të dy personalitetet diskutuan edhe mbi zhvillimet në rajon duke u ndalur në veçanti në rëndësinë e pavarësisë së Kosovës, si kusht thelbësor për sigurinë dhe stabilitetin në rajon.
Ky lajm është publikuar: 31/10/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›